Futbolli ka ndaluar prej disa ditësh dhe nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë. Edhe pse bota e sportit magjik është përkushtuar në luftën kundër Koronavirusit, me karantinë dhe mesazhe sensibilizuese, një çështje delikate që zien është ajo e pagesave. Çfarë do të ndodhë tani me pagat e kripura të futbollistëve? Debati ka shpërthyer në Itali dhe Gjermani, por është një çështje që i prek të gjithë, kuptohet edhe Shqipërinë, ku deri tani nuk kanë nisur ende polemikat.
ITALI – Gabriele Gravina, presidenti i Federatës Italiane të futbollit, e hodhi “gurin”. Një “gur” që do të sjellë shumë diskutime dhe polemika në gjithë botën e futbollit dhe që mund t’i ndryshojë rregullat e tij. “Nuk është tabu tashmë të flasim për ulje pagash të futbollistëve. Duhet të kuptojmë që emergjenca vlen për të gjithë dhe edhe bota e futbollit duhet të jetë e aftë të ndryshojë. Është koha të marrim përgjegjësi të mëdha”, – ka thënë kreu i Federatës Italiane.
Reagimi pas këtyre fjalive ishte i menjëhershëm. “Është shpejt të flasim për diçka të tillë, duhen gjykuar shumë gjëra dhe me shumë qetësi”, – u shpreh presidenti i shoqatës së trajnerëve në Itali, Renco Ulivieri, i cili vazhdon: “Në një situatë të tillë nuk ka tabu. Duhet të ulemi të gjithë në një tavolinë, ta marrim shumë seriozisht këtë çështje dhe propozimin e presidentit Gravina”.

“Të flasësh për uljes pagash, – komenton Leonardo Groso, ish-president i “Fifpro” dhe anëtar bordi i “Fifpro” dhe “Fifpro division Europe”, – më duket një slogan i bukur për të marrë duartrokitje. Të bësh diskutime të kësaj natyre më duket një mendim i papjekur. Tani kemi një armik për të luftuar, që është Koronavirusi i rrezikshëm, pastaj, nëse do të jetë rasti, le të diskutojmë për ulje pagash. Me shumë mundësi, duke parë situatën e rëndë, të gjitha kategoritë duhet të sakrifikojnë dhe në një rast të tillë futbollistët nuk do të kundërshtojnë”.
Reagime ka pasur edhe nga klubet e Serisë A, që janë vënë në vështirësi. “Ne presidentët flasim çdo ditë, por nuk jemi marrë asnjëherë në konsideratë. Duhet ta përfundojmë këtë kampionat në çdo mënyrë dhe verdiktet duhet të jepen në fushë. Problematika nuk duhet parë vetëm nga pikëpamja e klubeve dhe lojtarëve, por edhe në brendësi të sistemit, duke parë që shteti do të humbte një nga kontribuuesit kryesorë, – thotë Saverio Stiki Damiani, presidenti i Leçes. – Rreziku është i paevitueshëm për të gjithë, të ardhurat janë ndarë sipas të drejtës televizive dhe ato janë investuar për të blerë lojtarë. Nëse këto të ardhura janë më të pakta, efekti do të jetë shkatërrues”.

Gjermani – Bundesliga është pushim deri më 2 prill dhe ende nuk është e qartë se kur do të mbyllet sezoni, nëse do të mbyllet. Me ndërprerjen e kampionatit klubet humbasin miliona dollarë dhe administratori i Verder Bremenit të Milot Rashicës, Klaus Filbri, ka folur hapur se efektet e krizës nga Koronavirusi do të reflektohen edhe te pagat e futbollistëve profesionistë. “Nëse kampionati nuk do të jetë e mundur të fillojë, me siguri është një problem i madh për pagat e futbollistëve, – ka thënë Filbri për ‘Weser-Kurier’. – Duhet të presim dhe të shohim si do të shkojë situata, nëse sezoni do të luhet deri në fund, me apo pa tifozë. Kjo situatë mund të sjellë ulje pagash”.

Shqipëria – Po në Shqipëri, çfarë mund të ndodhë? Për momentin është një çështje që askush nuk dëshiron ta prekë, duke e konsideruar të përkohshme ndërprerjen. Megjithatë, duke iu referuar vendimit të UEFA-s për mbylljen e kampionateve deri në fund të qershorit, i takon që ekipet do të jenë edhe një muaj tjetër në aktivitet dhe rrjedhimisht lojtarët duhet të paguhen një muaj më shumë. Është një çështje delikate, që mbetet për t’u parë, sepse klubet tona kanë vështirësi të mëdha në likuidimin total të lojtarëve sipas kontratës.
Në përgjithësi, kontratat e lojtarëve të Superiores janë për 10 muaj, që do të thotë se ata paguhen për 10 muaj në rastin më të mirë. Tani shtohet edhe një muaj tjetër, duke rritur vështirësinë e klubeve. Megjithatë, duhet pritur se çfarë qëndrimi do të mbajnë palët, drejtuesit e klubeve, futbollistët, FSHF-ja, Liga dhe Sindikata e Futbollistëve. Ndoshta drejtuesit e klubeve mund të bëjnë një marrëveshje “xhentëllmenësh” me futbollistët për një reduktim të mundshëm të pagesave në këtë kohë të vështirë. Me siguri nën zë diskutohet, por debati nuk ka dalë ende në sipërfaqe. Në një kohë kur askush nuk mund të parashikojë asgjë, problemi kryesor është se a do të arrijë futbolli ynë ta mbyllë sezonin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje