Albana Vokshi reagoi në mbrëmje pasi Kryetari i PD-së Lulzim Basha shpalli garën për zgjedhjet në forumin e Gruas. Ajo tha se Basha i kishte bërë një telefonatë, për t’ia komunikuar këtë gjë, por për Vokshin “Ndërhyrja e kryetarit të PD, duke krijuar procedura sipas dëshirës së tij dhe në shkelje të statutit të LDGSH, janë një dhunim arrogant i punës së strukurave dhe anëtareve të LDG”.
Vokshi thotë se LDGSH është në përfundim të procesit të anëtarësimeve, organizimit dhe zgjedhjes bazuar në Statutin e LDGSH, ndërsa nënvizon se zgjedhjet në LDG organizohen nga vetë forumi, sipas përcaktimeve statutore. “As kryetari i PD-së, dhe asnjë komision zgjedhor i ngritur prej tij nuk mund të kenë rol në vendim-marrjen dhe menaxhimin e procesit”, thekson Vokshi, që sipas saj, vendimi i zotit Basha është arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë.
“Qëllimi i vendimit është të shbëjë të gjithë procesin e deritanishëm të zgjedhjeve brenda LDG-së dhe të vërë nën kontroll të tij edhe forumin e gruas së PD, duke shpërfillur jo vetëm statutin, por edhe kontributin e mbi 10 mijë grave që morën pjesë në zgjedhjet e brendshme në LDGSH.
Veprimi i tij është braktisje e rëndë e anëtarësisë dhe e grave demokrate. Zoti Basha fatkeqësisht tani nuk i takon, nuk i pyet, nuk u merr mendim demokrateve e demokratëve për asgjë.
Ky diktat është braktisje e anëtarësisë dhe e grave demokrate. Udhëheqja e Partisë duhet të flasë e bashkëpunojë me demokratët kudo ku ata janë, e jo vetëm me socialistët në Kuvend”, thotë Vokshi, ku thekson se LDGSH do të vijojë procesin e zgjedhjeve në bazë të statutit të saj.

Por Vokshit iu përgjigj jo Basha, por një kolege deputete, Orjola Pampuri, që thotë se gara për forumin e Gruas është një lajm i mirë.
“Zonja Albana Vokshi është emëruar në ketë detyrë që në vitin 2009 nga Kryetari i PD, pa garë. Mandati i saj ka skaduar prej të paktën 8 vitesh dhe askush nuk mund të pretendojë për legjitimitetet apo demokraci në drejtimin e LDG. Shumë pak e dinë, por LDG nuk ka patur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar. Zonja Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes. Nën drejtimin e znj. Albana Vokshit, LDG nuk ka patur as Sekretare të Përgjithshme, as Nënkryetare, as Kryesi, as Këshill Kombëtar. Ky mund të jetë akti më antidemokratik që mund të bëhet ndaj një forumi politik”, thotë Panpuri.
Sipas saj, pas procesit të nisur nga Kryetari Basha do të sigurohet zbatimi korrekt i statutit të PD, në mënyrë që organizimi i LDG të jetë i ngjashëm me atë të PDSH. “Për këtë arsye, Kryesia e PD do duhet të miratojë edhe Statutin për funksionimin demokratik të LDG për t’i dhënë fund praktikës antidemokratike të uzurpimit të Kryetares së Lidhjes për 12 vjet, pa vote”, thotë Pampuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje