Në prag të Kuvendit Kombëtar të PD-së, Fatbardh Kadilli jep një shpjegim shterues mbi kërkesën e vazhdueshme për hapje të PD.
Fillimisht Kadilli sqaron se proçesi në PD ka qënë “çil e mbyll”, që lidhet me dy arsye; E para mbi vetëdijen misionare të PD për tu provuar se kush është më i miri dhe e dyta lidhet me mbylljen ciklike që ka ardhur gjithnjë kur kryetari ka dashur ta kontrollojë PD.
“Sa herë që kemi humbur kemi pësuar tkurrje që ka shërbyer për të siguruar pushtetin e Kryetarit të radhës. Qoftë ky Berisha, apo Basha. Ata që kanë ngritur pikëpyetje apo kanë pasur rezerva dhe kanë menduar ndryshe janë detyruar të largohen, ose janë vetëlarguar. Rezultati ka qenë mbyllje. Këto ndarje nga loja politike në qendër janë përcjellë deri poshtë në degë, atje ku plagët nga përplasja për hatër të të preferuarit në qendër është edhe më e vështirë të shërohen…”, shkruan Kadilli në Facebook.
Sipas tij, është e domosdoshme që të korrigjohet ky deformim për tu kthyer në atë që është origjina e PD.
“Ne duhet të çlirojmë strukturën tonë. Ta orientojmë tek përfshirja, tek zgjerimi, tek aktivizmi, tek betejat politike që të bëhet lëvizje popullore.
Nuk mjafton forcimi i rolit të anëtarit nëpërmjet primareve.
Ne duhet t’i kthejmë anëtarit edhe nismën dhe frymëzimin që ai vetë të krijojë struktura sa më fleksibël, sa me elastike. Në PD kemi një seksion për çdo qendër votimi. Garat në këtë nivel bazë mbartin shumë ngarkesa emocionale dhe shkaktojnë shumë ndarje. Kapja e drejtimit të seksionit ka qenë qëllim i individëve që e duan atë pushtet të “vogël” për ta përdorur për vete, si provë të kontributit. Kjo garë është deformuar edhe nga ndërhyrja shpesh arrogante nga lart, nga ata qe kanë dashur të bëhen kryetar të degëve. Këta kanë ndikuar që në krye të seksioneve të zgjidhen kryetarët që i duan si mbështetje. Këto gara kanë shkaktuar ndarje, mënjanime, përjashtime dhe shumë fiktivitet.
Kjo sëmundje shërohet në se ne bëjmë një ndryshim”, shkruan ai.
Por cili ëhstë propozimi konkret?
“Le t’i japim gjithkujt që ka një mbështetje prej të paktën 5 persona mundësinë që të krijojë seksionin e tij. Kështu garantohet hapësira e gjithkujt që do të bëjë karriere politike, që do të ndikojë PD me profilin e tij, me mbështetjen e tij, me kauzat e tij. Po t’i shtojmë këtij ndryshimi edhe lejimin dhe nxitjen e forumeve horizontale që janë bashkime mbi baza ngjashmërie dhe përkatësie, atëhere u kemi dhënë mundësinë për aktivitet politik dhe karrierë edhe personave me profil të lartë, që kanë ndikim dhe aktivitet përtej territorit të një qendre votimi apo grupi qendrash votimi…” Kjo mënyrë, sipas tij, jo vetëm kthen ata që kanë ikur, por sjell edhe ata që s’kanë qenë kurrë më parë.
“Kjo i jep fund debatit për hapje dhe mbyllje. Nuk ka më kryetar që të largon. Kjo e bën partinë ftuese, e bën një mjedis ku çdokush që ka një identitet politik të bëj hapin që do. Të krijojë forumin e tij me njerëz që e mbështesin. Kjo bën që çdokush që ka synime dhe pretendime për karrierë të sjellë anëtarë të rinj, të shtojë mbështetjen.
Që ky ndryshim rrënjësor të funksionojë nuk mjafton vetëm të rregullohet me statut. Është e domosdoshme që këto struktura të jenë të garantuara, të mbrojtura nga autoritarizmi i Kryetarit. Për këtë shërben ndarja e drejtimit politik nga drejtimi administrativ i partisë. Që celësat e partisë të mos i ketë kryetari. Për këtë shërben krijimi i një Këshilli të Urtësh që të jenë garant që strukturat që krijohen të mbrohen dhe respektohen. Që anëtarësia të jetë e verifikuar.
Pastaj nuk do ta dëgjojmë më kërkesën për hapje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje