Politike

“Po luhet prej vitesh”, Meta: Asnjë skenar i zi nuk mund ta lërë vendin pa opozitë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u duk se kishte fituar “qetësinë” kur në një prononcim për mediat nga Pogradeci, e kishte të qartë se për çfarë do të fliste.

Nuk ngriti tonet dhe as nuk devijoi pyetjet.    

Ai tha se nuk komentonte zhvillimet në PD, por përgjigjen që donte e dha.

“Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike, duhet të kenë debatet e tyre në respektim të demokracisë dhe normave kushtetuese.

Siç e keni kuptuar demokracia në këto 3 dekada, ajo ka uljet e ngritje në një sistem të caktuar politik dhe shoqëror edhe brenda grupimeve politike.

Nuk dua të bëhem pjesë e këtyre debateve. Pas 24 korrikut vazhdimisht ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë Kushtetutën dhe parimet demokratike…”, foli Meta si President mbi palët.

Por kur u pyet konkretisht për situatën në të cilën gjendet opozita, Meta e përcolli mesazhin:  

“Jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që luhet prej vitesh.

Shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinentit tonë.

Shqiptarët kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara”.

Meta tha gjithashtu se pret një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese si për zgjedhjet vendore ashtu edhe për mandatin e tij të cilin Presidenti vijon ta konsiderojë një çështje politike.  

“Nuk ekziston asnjë çështje në Venecia për Presidentin. Ajo është çështje politike. Jam tepër i qetë dhe i pa shqetësuar, për sjelljet e të tjerëve. Pasi sjelljet e mia kanë qenë pro Kushtetutës. Jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e Kushtetutës, e cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, më tradhtare nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm për të pasur Shqipërinë sot një situatë aspak të dëshirueshme, në raport edhe me BE. Kuvendi duhet të kishte çelur negociatat me kohë nëse do dëgjohej presidenti mbi zgjedhjet vendore apo Gjykatën Kushtetuese.

Prej vitesh presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore, në pikëpamjen e time është një çështje e qartë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë