Futboll

Po nëse sezoni s’mbyllet? Skenarë me Tiranë kampione dhe asnjë ekip të rënë

Me situatën që po krijohet dita-ditës në vendin tonë, ku numri i të infektuarve po rritet ndjeshëm dhe ende nuk është shumë e qartë nga specialistët se kur do të jetë piku, pyetja e madhe që ngrihet në këtë moment është: Çfarë do të ndodhë, nëse kampionati i futbollit nuk do të përfundojë? Dhe gjasat janë që të mos përfundojë, pavarësisht se FSHF-ja, sipas udhëzimeve të UEFA-s, do të bëjë gjithçka për t’i shkuar deri në fund me një kalendar rraskapitës për lojtarët.

Fakti që ende nuk mund të parashikohet një datë për rinisjen e aktivitetit, ndërkohë që ditët kalojnë dhe ekipet nuk stërviten (minimalisht duhen tri javë që lojtarët të marrin veten, pasi të nisin stërvitjen), të bën të mendosh edhe për skenarët e mundshëm, në rast se do të jetë i pamundur zhvillimi i javëve të mbetura të të gjitha kategorive, duke nisur me Superioren.

Nga një ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit. Gazeta Si, 25 mars 2020

Skenarët më të mundshëm janë dy. I pari ka të bëjë me mbylljen me “dhunë” të kampionatit, duke aplikuar formulën e sistemit të grumbullimit mes skuadrave që luftojnë për titullin dhe Europën, siç ka ndodhur në vitin 1991. Skenari i dytë dhe që nuk është thjesht një hipotezë, është që të merret në konsideratë renditja aktuale e Superiores dhe kategorive të tjera. Me këtë skenar i takon që Tirana të shpallet kampione dhe në Kupat e Europës të shkojnë skuadrat që vijnë pas saj, Kukësi, Laçi dhe Skënderbeu (ky i fundit i dënuar dhe mund t’i lirojë vendin Teutës). Një skenar që lë jashtë loje Partizanin dhe me siguri që do të kundërshtohet nga klubi i kuq.

Po me ekipet që zbresin nga kategoria çfarë ndodh? Në këtë rast, Koronavirusi do t’u bënte një “nder” Flamurtarit dhe Luftëtarit, dy skuadrave që mbyllin renditjen aktualisht. Marrja në konsideratë e renditjes aktuale, sipas burimeve të Gazeta Si pranë FSHF-së, vlen vetëm për çështjen e titullit dhe ekipet që duhet të shkojnë në Europë. Madje, jo vetëm që nuk do të kishim zbritje ekipesh nga Superiorja, por edhe zgjerim të saj deri në 14 skuadra, pasi dy skuadrat e para të dy grupeve të Kategorisë së Parë, konkretisht Kastrioti dhe Besëlidhja dhe Pogradeci dhe Apolonia, do t’i bashkoheshin elitës. Edhe në Kategorinë e Parë dhe të Dytë nuk do të ketë zbritje ekipesh një kategori më poshtë.

Renditja aktuale e Superiores. Gazeta Si, 25 mars 2020

Janë dy skenarë jo vetëm në letër. Edhe në vende të tjera, duke parë përmasat e pandemisë nga Koronavirusi, po mendojnë për zgjidhjen që do t’i japin kampionatit përkatës. Në Angli, për shembull, ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid dhe kombëtares angleze, Rio Ferdinand, ka hedhur propozimin që Premier League 2019/20 të anulohet.

Rio Ferdinand, ish-lojtari i Anglisë, aktualisht opinionist televiziv. Gazeta Si, 25 mars 2020

“Mendoj se Premier League duhet të anulohet. E di që shumë tifozë të Liverpulit do të thonë: ‘Rio, e thua vetëm se je tifoz Mançester Junajtid dhe je kundër Liverpulit’. Nuk është kjo. E them sepse është e vetmja mënyrë që shëndeti i futbollistëve të mos kompromentohet. Diskutohet të luhet me dyer të mbyllura, por lojtarët do të jenë sërish në fushë. Pra, ata nuk qenkan pjesë e shoqërisë?”. Një pikëpamje ndryshe, që patjetër do të sjellë polemika, ashtu sikurse në Shqipëri, nëse do të merrej vendimi për anulimin e sezonit, apo edhe nëse vendoset sipas renditjes aktuale. Gjithçka e ka në dorë Koronavirusi dhe koha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë