Rend dhe Ligj

Po transportonin emigrantë të paligjshëm, 4 të arrestuar

Policia e Korçës ka arrestuar katër persona, të cilët po transportonin 7 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.

Policia thotë se një prej personave të arrestuar, gjatë ndjekjes nga uniformat blu, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit M.Ç., 19 vjeç; Ç. B., 25 vjeç; M. L., 22 vjeç dhe F. Q., 27 vjeç, banues në Durrës.

Këta po transportonin emigrantë të paligjshëm nga Devolli në drejtim të Tiranës. Policia ka konstatuar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit ndodheshin edhe shtetasit Ç. B., dhe F. Q., si dhe mjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin M.Ç., brenda të cilit ndodheshin 7 emigrantë të paligjshëm, të cilit i kanë bërë me shenjë të ndalonte por ky i fundit nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë dhe është larguar me shpejtësi.

Në fshatin Blacë, Pogradec, është përplasur me një mjet tip furgon duke shkaktuar dëme materiale.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi F. Q., duke qenë në rolin e organizatorit të këtij aktiviteti kriminal, në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë, kundrejt fitimit prej 300 euro për person, iu kishin premtuar emigrantëve të paligjshëm, kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së”, thekson mes të tjerash policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë