Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë protestat, vazhdojnë edhe polemikat midis presidentit Donald Tramp dhe dy kombëtareve të futbollit. Si kombëtarja e meshkujve, ashtu edhe ajo e femrave, e kanë kritikuar ashpër presidentin. I fundit ishte kapiteni Majkëll Bredli, i cili është shprehur se “edhe katër vite të tjera me Donald Tramp president do të ishin një shkatërrim total”.
Edhe Megan Rapinoe, simboli i kombëtares së futbollit të femrave në Amerikë dhe aktiviste e të drejtave civile, gjithmonë ka qenë politikisht kundër presidentit Tramp, i cili ka reaguar dhe ka vendosur të mos i shohë më dy kombëtaret e futbollit. Qëndrimin e tij, presidenti amerikan e ka bërë të ditur me një postim në faqen zyrtare në Tuiter. Gjithçka ka nisur me polemikat për himnin, që nga koha kur lëvizja “Black Lives Matter” u soll në vëmendje nga lojtari i futbollit amerikan, Kolin Kaepernik, i cili u ul në gjunjë gjatë himnit në shenjë proteste kundër abuzimeve ndaj njerëzve me ngjyrë.

Që në atë kohë kishte pjesëtarë të të dyja skuadrave kombëtare amerikane që nuk ngriheshin në këmbë për himnin. Kjo situatë bëri që të bëhej një shtesë në normën e sjelljes që i detyronte lojtarët të çoheshin në këmbë. Por tashmë vetë federata e ka fshirë këtë rregull, duke shkaktuar zemërim te republikanët. Një deputet i Floridas ka shkruar: “Do të preferoja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos kishin një kombëtare futbolli se sa të kenë një të tillë që nuk çohet në këmbë për himnin. Nuk përfaqëson flamurin tonë, nëse nuk je në këmbë për himnin”.
Dhe pikërisht këtij postimi i është bashkuar edhe presidenti Donald Tramp, duke e bërë të qartë qëndrimin e tij. “Nuk i shoh më kombëtaret e futbollit”, – ka shpjeguar presidenti. Tani priten reagimet e futbollistëve dhe të futbollisteve, të cilët edhe më parë nuk kanë pasur ndonjë vlerësim për njeriun më të fuqishëm në botë. Tani polemikat me siguri do të kenë më tepër karakter personal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje