Politike

Policët e burgjeve do të mbrohen nga kërcënimet e të burgosurve

Policët e burgjeve do të kenë një mbrojtje të posaçme në rastet kur për shkak të detyrës u kanoset jeta. Ky është udhëzimi i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, që ka ndërhyrë pas përpjekjes për arratisje të Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit.

Në udhëzim përcaktohet se i ofrohet mbrojtja e posaçme për një afat deri në katër muaj punonjësve të policisë së burgjeve që ndjehen të kërcënuar. Detyra për mbrotjen personale, të familjes dhe pronës së tyre, sipas udhëzimit, i caktohet Policisë së Shtetit, ose Policisë së Burgjeve.

“Punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, të cilëve për shkak të detyrës që kryejnë, ose kanë kryer u rrezikohet jeta, familja apo prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, kanë të drejtë t’u sigurohet mbrojtje e veçantë fizike nga Policia e Shtetit. Në situata emergjente, kur për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të çështjes është i pamundur garantimi i mbrojtjes nga Policia e Shtetit, ofrohet mbrojtje e veçantë nga struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve”, thuhet në udhëzues.

Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me numrin e punonjësve të policisë së burgjeve që janë kërcënuar, apo kanë denoncuar kërcënim nga personat që vuajnë dënimet në burgje. Por, vendimi i ministrisë pason përpjekjen për arratisje të Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit, të cilët gjatë kësaj përpjekjeje kanë goditur dhe kërcënuar gardianët e burgit “Jordan Misja” në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë