Policia, krahas angazhimit për zbatimin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në pranga edhe një shtetase që ishte shpallur në kërkim.
Mësohet se është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., 35 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit” sepse në rrugën “Bulevardi Blu”, ka keqtrajtuar fizikisht, duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën, fëmijën e mitur të bashkëjetueses së tij, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërsa, në Komisariatin Nr. 2, është arrestuar shtetasi R. XH., 36 vjeç, sepse në rrugën “Isuf Banka”, gjatë kontrollit në një ambient në pronësi të këtij shtetasi, iu gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale, 47 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 1 karikator automatiku (bosh dhe pa sustë), një dorezë metalike, si dhe 1 kuti kartoni me pajisje për pastrimin e armëve të zjarrit.
Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasve:
E. K., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës iu gjetën dhe u sekuestruan shtatë doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe 3 tableta metadon;
XH. L., 24 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së këtij shtetasi iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, gjashtë qese farmaceutike me lëndë narkotike cannabis sativa;
M. B., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa;
Po ashtu, në Komisariatin Nr. 4 është në pranga shtetasit N. H., 55 vjeç, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vepra të turpshme në familje”, sepse në mënyrë të përsëritur dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunatës së tij (e pajisur me urdhër mbrojtjeje) dhe ndaj fëmijëve të saj të mitur.
Ndërkohë, nga Vorë është arrestuar shtetasi G. V., 36 vjeç, sepse në rrugën “Unaza”, në parkimin e Bashkisë Vorë, ka vjedhur mjetin në pronësi të shtetasit M. S., i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu është ndaluar shtetasja A. H., 28 vjeçe, e shpallur në kërkim për për veprën penale “Dhuna në familje”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje