Ka ndodhur

Policia, njoftim për incidentin tek “Varri i Bamit”: Çfarë ndodhi me gazetarin, që e shtrimë përtokë. Reagon edhe PD

Policia e Tiranës ka përcjellë një deklaratë për shtyp lidhur me ngjarjen e mesditës të së martës, ku një person nuk iu bind urdhrit për të ndaluar gjatë një aksioni antidrogë, ndërsa mbeti i shtrirë për tokë nga policia gazetari i News 24, Ergys Gjencaj, i cili ndodhej rastësisht aty me grupin e xhirimit dhe po filmonte ngjarjen.

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Pas disa minuta ndjekjeje nga ana e Policisë, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi  i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia njofton se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.

Ndërkohë, Policia sqaroi se, “nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV News 24, z.Ergys Gjençaj”.

“Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të goditur çdo paligjshmëri, për të garantuar transparencë dhe siguruar mediat të kryejnë rolin e tyre. Asnjë incident i izoluar nuk do të ndikojë në këtë angazhim, për më shumë siguri për qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për incidentin me gazetarin Gjencaj ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar edhe PD.

“…Dhuna ndaj gazetarëve, njësoj si blerja e votës, nuk ka lidhje me demokracinë dhe shtetin ligjor! Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në krah të gazetarëve, sepse ne vlerësojmë se zëri i tyre duhet të shkojë sa më i vërtetë tek qytetarët”, tha Albana Vokshi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë