Politike

Politika e 2023/ Betejat përcaktuese për Berishën dhe Metën dhe sfida e PS me korrupsionin

Muaji janar i vitit që sapo hymë pritet të jetë po aq përcaktues për konfliktet brenda PD-së, si ai i një viti më parë.

Më 8 janar 2022 Sali Berisha “luftoi” jashtë selisë për të marrë në dorëzim “shtëpinë e demokratëve”.

Më 17 janar (nëse nuk do ketë shtyrjen e radhës)  Apeli pritet të marrë vendimin e parë të sagës së padive që janë depozituar mes grupeve të PD-së.

E para është ose bashkimi i statuteve të dy kuvendeve të thirrura nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ose kthimi për rishqyrtim nga e para i padisë me një trup gjykuese në gjykatën e Shkallës së Parë.

Ndërkohë seanca për një tjetër padi të ngritur nga Enkelejd Alibeaj për vulën dhe siglën e partisë duke ankimuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri (që i ka dhënë selinë Sali Berishës) nuk është vendosur ende

Foto ilustruese: Sali Berisha shtyn Enkelejd Alibeajn në foltoren e Kuvendit. Gazeta “Si”

Me gjasë, PD-ja do të shkojë e tille edhe në zgjedhjet ardhshme lokale të 14 majit që pritet të jetë ngjarja më e rëndësishme politike në vend.

Nëse s’ka vendim gjykate, do të përsëritet skema e një viti më parë ku Berisha mund të regjistrojë kandidatët e primareve nën siglën e PL-së ndërsa Alibeaj në siglën e PD-së.

Kryetari i PD-se, Sali Berisha dhe kreu i PL, Ilir Meta

Disa deputetë ndërkohë kanë paralajmëruar se skema mund të ndryshojë në janar.

Zgjedhjet lokale do të jenë përcaktuese në fakt për të ardhmen politike të Sali Berishës, sa kohe që po zgjedhjet ndryshuan edhe të ardhmen e Lulzim Bashës vitin e kaluar me 6 mars.

PD dhe Kuvendi  

PD pritet të hyjë në sesionin parlamentar të janarit me një skemë përçarëse brenda saj. Berisha me një grup më të zgjeruar deputetësh se një vit më parë, Alibeaj më të ngushtë por me “fatin” e vulës dhe regjistrimin e  Berishës në protokollin e Kuvendit dhe disa deputetëve të PD-së si të pavarur.

Ne foto: Ish-kryeministri Sali Berisha ne Kuvend me nje pjese te deputeteve te PD

Ky pritet të jetë debati më i fortë në grupin e PD-së nisur nga ajo që paracaktoi seanca e dhjetorit ku Flamur Noka “iu hakërrye” Nikollës se pse ishin të regjistruar si të tillë ndërsa pati replika deri në nivel ofendimesh mes deputetëve të Berishës dhe Enkelejd Alibeajt.

Beteja e PS  

…PS-ja në anën tjetër do të fokusohet në zgjedhjet e ardhshme lokale ndërsa nuk pritet të ketë surpriza në organet partiake.

Beteja e saj kryesore me gjyqësorin mbeten inceneratorët, ndërsa kanë filluar edhe çarjet e para të krijuara nga administrata me drejtues që kane qenë edhe patronazhistë të akuzuar sot për mashtrim apo përfshirje në trafikimin e drogës.

Betejën PS-ja duket do të vijojë ta ketë mes vetes në raport me korrupsionin sa kohë që PD-ja është në të tjera hesape.

Për Partinë e Lirisë gjithashtu mund të ketë zhvillime dhe konkretisht për drejtuesin e saj.  

E ardhmja e Ilir Metës

Ilir Meta është denoncuar nga Autoriteti i Dosjeve pas një e-maili anonim që i ka mbërritur, ku rezulton emri i tij në dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, si denoncues i një ish shoku të klasës gjatë viteve të universitetit.

PS-ja ka miratuar tashmë ligjin duke prekur drejtpërdrejtë atë se ata që kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit nuk mund të jenë drejtues të partive politike, të angazhuar në funksione të larta shtetërore e madje as deputetë.

Beteja e Ilir Metës do të jetë më shumë për të ardhmen e tij politike. Ai ka depozituar një padi për Autoritetin ndërsa organi i akuzës nuk ka nisur asnjë hetim. Meta ka paralajmëruar se këtë çështje mund ta çojë edhe në Strasburg.

Shqipëria ndërkohe mund të bëhet mikëpritëse e një tjetër Samiti pas asaj të zhvilluar në muajin Dhjetor.

Një tjetër Samit dhe Ballkani i Hapur

Edi Rama ka lajmëruar se pranverën e këtij viti pritet që të mbahet në Tiranë Samiti i Procesit të Berlinit një dëshirë e shprehur nga vetë Kancelari gjerman Olaf Scholz.

Zoran Tageltija, Aleksandar Vuçiç, Dimitar Kovaçevski, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq në Samitin e Ballkanit të Hapur zhvilluar në Ohër, 8 qershor 2022.

Debat i hapur mbetet ende Ballkani i Hapur me vende të rajonit që herë afrohen e here largohen. E vetmja është Kosova që nuk është bërë pjesë e asnjë formati.

Sulmet kibernetike

Një sfide për Shqipërinë mbeten sulmet kibernetike. Vitin e kaluar pati sy sulme të tilla një në korrik e një tjetër në shtator.

Qeveria e vuri gishtin tek Irani duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Nuk dihet nëse ky vendim do të vijojë të zbatohet edhe këtë vit.

Shqipëria ndërkohë pritet të bëjë detyrat e shtëpisë të Brukselit

Detyrat e Shqipërisë

Bashkimi Europian nisi zyrtarisht bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë. Është mbajtur konferenca e parë ndërqeveritare, këtë vit pritet e dyta.

Ne foto: Flamujt e vendeve te BE-se

Shqipëria u ul gjithashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më një status të veçantë si bashkë-penëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara për çështjen e Ukrainës.

Shqipëria nis mandatin dytë këtë vit në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Në vëmendje të saj do të jetë konsolidimi i paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor si dhe procesi i njohjeve të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë