Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin e radhës nga monitorimi i reformës në drejtësi. Krahas problematikave ligjore e burokratike të zbatimit të kësaj reforme dhe zvarritjes në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, raporti del në përfundimin se të gjitha partitë politike po e pengojnë këtë reformë.
ISP thotë se pavarësisht diskursit publik, partitë kryesore politike janë de facto kundër jetësimit cilësor të reformës, duke e konsideruar drejtësinë e re si rrezik potencial për gjithçka ato kanë administruar dhe administrojnë në shtet e në shoqëri.
“Secila parti politike e shikon reformën si mjet kërcënues për palën tjetër dhe vettingun si proces që po pastron mbështetësit e palës tjetër politike në sistem. Asnjë parti politike nuk ka dhënë deklarim zyrtar publik në mbështetje të një vendimmarrjeve të KPK apo KPA, si dhe nuk ka përfshirë në rregullat e tyre të brendshme heqjen e mbështetjes politike për individët e larguar nga sistemi i drejtësisë dhe që mund të kenë ambicie politike”, thuhet në raport.
Raporti interpreton si “shkop nën rrotat e reformës” edhe përplasjen mes Presidentit dhe Qeverisë dhe retorikën e opozitës për këtë reformë.

“Konflikti midis Presidentit dhe Qeverisë, kritikat e Presidentit ndaj rolit të faktorit ndërkombëtar në reformën në drejtësi, nisma e mazhorancës për shkarkimin e kryetarit të shtetit në momentin kur ai duhet të emërojë anëtarët në Gjykatën Kushtetuese, si dhe retorika denigruese ndaj reformës nga opozita apo keqpërdorimi i sukseseve të reformës si suksese politike nga mazhoranca, janë e mbeten tregues të faktit se elita politike është e mbetet opozita më e fortë ndaj një sistemi drejtësie të ri, të ndershëm, të pavarur, me integritet dhe profesional”, thuhet më tej.
Duke analizuar qëndrimet e tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI, raporti vëren se pavarësisht deklaratave, veprimet e të trija këtyre partive kanë penguar ritmet e reformës.
PS
ISP thotë se pavarësisht deklaratave mbështetëse publike, përmes veprimeve ose mosveprimeve të saj, Partia Socialiste e ka zvarritur reformën në drejtësi.
“Një analizë e ftohtë e raporteve të mazhorancës me reformën në drejtësi, të ofron argumente për të krijuar bindjen se ajo ka një perceptim të gabuar për reformën dhe mungesë reale vullneti politik për suksesin e saj”, thuhet në raport.

Si shembull, ISP sjell akuzat e Kryeministrit Edi Rama ndaj dy gjyqtarëve të gjykatave administrative në Durrës dhe Tiranë, që nuk njohën mandatet e kryebashkiakëve socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit në Durrës dhe Vorë. Kryeministri, sipas raportit, kërcënoi gjyqtarët me vettingun. “Gjyqtarët u denigruan publikisht dhe u paralajmërua largimi i tyre me reformën në drejtësi, – një e vendim që në asnjë rrethana nuk i përket as kryeministrit, as qeverisë, as parlamentit dhe as Partisë Socialiste në pushtet”, theksohet në raport.
Si shembull të dytë, raporti sjell dosjet 184 dhe 189 dhe përgjimet e publikuara nga Bild. “Sjellja e mazhorancës, përfshirë e Kryeministrit në këtë rast ishte tipike: ata sulmuan ashpër prokurorët që kanë nxjerrë të dhënat në media, madje cituan emra konkretë, të cilës sipas tyre duhet të largohen e do të largohen nga sistemi i drejtësisë. Hetimet e Prokurorisë nuk i vërtetuan akuzat e tyre, por kjo ka pak rëndësi në politikë. Gjithashtu mazhoranca refuzoi të ndihmojë hetimet për skandale të tilla dhe mbështeti çdo masë administrative që pamundëson hetimin, përfshirë transferimet e vazhdueshme të dosjeve, deri në veprimin ekstrem, nisjen e procesit gjyqësor ndaj medias që publikoi skandalin”, thekson raporti.

Kjo është pjesa retorike, ndërkohë që ISP vëren mungesë vullneti edhe në aspektin ekzekutiv; atë të miratimit të akteve në Parlament që do të plotësonin kuadrin ligjor të reformës në drejtësi.
“Mazhoranca vonoi rreth një vit për të zgjidhur çështjen e ambienteve të punës së strukturave të reja në drejtësi, vonoi muaj të tërë të kalojë në parlament ligje të paketës së reformës që nuk kërkonin konsensus me opozitën, si dhe nga mënyra sesi u soll sidomos gjatë incidenteve me protestat e opozitës apo të fushatës elektorale, mbivendosi policinë e shtetit mbi organet e hetimit duke krijuar idenë dhe perceptimin se nuk është drejtësia, por policia dhe qeveria që arreston, burgos dhe dënon”, thotë ISP.
Gjatë monitorimit të zbatimit të reformës dhe sjelljes së mazhorancës, ISP ka gjetur edhe përpjekje të mazhorancës për ta kontrolluar atë dhe për të promovuar në sistemin e ri njerëz të afërt me shumicën.
Opozita (PD)
ISP thotë se opozita gaboi kur bojkotoi reformën administrative, apo zgjedhore dhe gjithashtu gaboi kur e konsideroi reformën në drejtësi si akt të njëanshëm të qeverisë dhe të mazhorancës. “Mbështetja e saj për ndryshimet kushtetuese 2016 ishte më shumë produkt i presionit ndërkombëtar sesa tregues i vetëdijes për rëndësinë dhe vlerën e reformës”, thekson raporti.
Gjatë monitorimit të diskursit politik të opozitës, ISP gjen një handikap të madh mes akuzave dhe fakteve konkrete të paraqitura nga opozita.

“Opozita thekson vazhdimisht se institucionet e reja të drejtësisë po kapen nga qeveria përmes procesit të vettingut. Opozita nuk ka sjellë fakte publike se mazhoranca është duke kontrolluar reformën apo është duke e dirigjuar atë. Për më tepër, duke e konsideruar tezën e saj si të qenësishme ajo ka bërë më pak denoncime në prokurori e gjykatë gjatë viteve 2018 – 2019 sesa gjatë viteve të parë të kalimit në opozitë 2013-2014. Frika politike se suksesi i reformës do të mund të konsiderohet sukses politik i mazhorancës ka ndikuar në këtë qëndrim, pa arritur të bëjë dallimin midis krediteve dhe kostove që merr mazhoranca për shkak të skandaleve të shumta, të cilat sado që shtyhen përsëri mbeten lëndë e parë për hetime të mëtejshme pas krijimit të SPAK”, thekson raporti.

Si shembull raporti sjell mungesën e një përshëndetjeje zyrtare dhe publike të një rasti shkarkimi nga vettingu, edhe kur gjyqtari apo prokurori i shkarkuar kapen në raste flagrante me prova korrupsioni dhe paaftësie. Raporti vëren gjithashtu se opozita ndjehet e përjashtuar nga ky proces, por thekson se nga ana tjetër individët e mbështetur prej saj përë postet në institucionet e reja të drejtësisë shpesh janë pa cilësi profesionale dhe as të konkurrueshme. “Në politikë sulmi ndaj një modeli të gabuar duhet shoqëruar me ofrimin e një modeli të ri më të mirë, tezë që opozita as nuk e ka realizuar dhe as nuk është investuar”, thotë raporti.

ISP thotë se përveç kësaj, një disa zyrtarë të opozitës që sulmojnë reformën në drejtësi janë në konflikt interesi, pasi kanë qenë pjesë e strukturave përgjegjëse, palë në procese gjyqësore, objekt hetimi, apo kandidatë për postet e reja në sistemin e drejtësisë.
Raporti gjykon se fillimisht bojkoti në 2018 dhe më pas djegia e mandateve këtë vit, kanë ndihmuar mazhorancën që të veprojë lirshëm në Kuvend dhe pa dhënie llogarie për çdo vendim, apo mosveprim që lidhet drejtpërdrejtë, apo tërthorazi me reformën në drejtësi.
LSI
Raporti i ISP e përshkruan Lëvizjen Socialiste për Integrim si partinë më agresive kundër reformës në drejtësi dhe vëren se ky agresivitet është në të njëjtën gjatësi vale me atë të Presidentit Ilir Meta.

“Reforma mori jetë kur kjo parti kishte postet e tre ministrave të Drejtësisë, të cilët jo rastësisht u lanë jashtë procesit vendimmarrës për reformën. LSI vijon të jetë aktive në deklarata kundër bilancit të reformës në drejtësi dhe ta shohë atë si një proces të kontrolluar 100% prej kryeministrit. Retorika e saj, i bashkohet retorikës së Presidentit të Republikës dhe madje njësohen së bashku, duke mos parë pothuajse asnjë element pozitiv tek reforma dhe procesi i vettingut”, thuhet në raport.

ISP i jep të drejtë si LSI, ashtu edhe Presidentit mbi kritikat për vakancat në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, por qorton ligjërimin e tyre publik.
“Sidomos adresimi i kritikave dhe përgjegjësive tek aktorët ndërkombëtarë të përfshirë në reformën në drejtësi, kanë krijuar perceptimin e se ka një bashkëjetesë të pamundur midis tyre dhe vetë reformës në drejtësi, asaj që nisi, asaj që është dhe asaj që mund të jetë në të ardhmen”, nënvizohet në raport.
Raporti kujton gjithashtu raportimet se individë me pak mundësi për të kaluar vettingun janë duke përfituar nga tranzicioni i ndihmuar edhe nga politika duke shfrytëzuar postin për akte korruptive në sistem.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje