Më në fund, politika ka një ligj zgjedhor të gjithëpranuar.
Jo më i miri, por rregullat e lojës sipas Damian Gjiknurit janë pranuar nga të gjitha palët.
Si Gjiknuri, ashtu edhe Oerd Bykykbashi dhe Petrit Vasili dolën të kënaqur nga mbledhja.
Gjiknuri pranoi se u plotësuan një sërë kërkesash të palës tjetër, ndërsa opozita tha se me ndryshimet në Kod u shtuan garancitë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Me pak fjalë, Këshilli Politik mbylli me konsensus debatin e fundit politik që lidhej me formulën e përzgjedhjes së trupës së re të KQZ-së bazuar më së shumti mbi propozimin e fundit të PD-së.
Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet përmes një komisioni parlamentar, ku opozita do të ketë një përfaqësues të vetin. Edhe pse është hequr “e drejta e vetos” e PD-së në komision, sërish opozita jashtë Kuvendit do të ketë të drejtën e përzgjedhjes apo heqjes së emrave nga lista e kandidatëve gjatë shqyrtimit në komisionin e posaçëm parlamentar.
Kandidaturat që do t’i çohen Kuvendit për anëtarët e Rregullatorit, dhe Komisionit të Apelimit e Sanksioneve do të rrëzohen ose votohen në bllok nga Kuvendi
“Përfunduam punën për amendimet e Kodit Zgjedhor ku gjetëm dakordësi për të gjitha pikat e mbetura. Plotësuam kërkesat e opozitës, për ato garanci që kanë ekzistuar te ligji aktual, pavarësisht se disa nga standardet e ODHIR kërkonin ndryshime. Për ne është më e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë shqetësimet, frikërat apo edhe të kaluarën e afërt të opozitës në mënyrë që të hyjmë në zgjedhje me një ligj të gjithë pranuar”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, ekspertët morën detyrë që ta zbardhnin tekstin e dakordësuar dhe për dy-tre ditë përmbajtja t’i dërgohet Kuvendit.
Gjatë mbledhjes u ra dakord edhe për procedurat që do të ndiqen për votën e emigrantëve zgjedhjet e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje