Bota

Poloni-BE, përplasje në PE mes Von der Leyen dhe kryeministrit Morawiecki

Kriza midis Polonisë dhe Bashkimit Evropian, e cila shpërtheu në fillim të tetorit, ka mbërritur në tryezat e Parlamentit Evropian.

Të martën 19 tetor – gjatë debatit mbi krizën e sundimit të ligjit në Poloni – presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, i bëri të qartë kryeministrit polak Mateusz Morawiecki se Unioni nuk ka ndërmend të pranojë atë që ai e konsideron “një kërcënim për vlerat themelore të BE” dhe e ka bërë të qartë se BE nuk do t’i sigurojë Varshavës fondet e Rimëkëmbjes (me një vlerë totale prej 52 miliardë) pa zbatuar reformat e sistemit gjyqësor polak që qëndrojnë në rrënjë të kësaj krize.

Përballë këtyre fjalëve – dhe sulmeve të ashpra nga grupet e shumicës ndaj Parlamentit Evropian – Morawiecki ofroi si një hapje për të ndryshuar ligjin mbi gjyqësorin në qendër të përplasjes me BE-në.

Kriza midis institucioneve të Bashkimit Evropian dhe atyre të një vendi anëtar – më e rënda, pas asaj me Britaninë e Madhe të shkaktuar nga referendumi i vitit 2016 që çoi në Brexit – lindi kur Gjykata Kushtetuese Polake sanksionoi parësinë e ligjit kombëtar, ligji mbi të drejtën evropiane, duke minuar një nga parimet themelore të Unionit.

Me një dënim të bujshëm plot pasoja, të enjten e 7 tetorit, Gjykata Kushtetuese polake vendosi mbi epërsinë e ligjit të BE-së mbi ligjin kombëtar, duke dekretuar se disa nene të Traktateve të Bashkimit Evropian janë “të papajtueshme” me Kushtetutën e shtetit polak dhe se Institucionet e komunitetit “veprojnë përtej fushëveprimit të kompetencave të tyre”.

Ky është një hap i paparë në historinë e bllokut, duke pasur parasysh se një nga parimet themelore të BE-së, është pikërisht përparësia e ligjit të BE-së mbi të drejtat kombëtare.

Kriza – e cila shpërtheu me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Polake – po zvarritet prej muajsh: ndër arsyet më të hidhura të konfliktit, duhet të përmendim krijimin e zonave “pa LGBT” në mbi 100 rajone, qarqe dhe bashki polake.

Por mbi të gjitha, siç sqarohet nga von der Leyen, reforma në gjyqësor, e kërkuar nga partia ultra-konservatore në pushtet Ligji dhe Drejtësi (Pis), e cila, sipas BE-së dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, minon pavarësinë dhe autonominë e gjyqtarëve.

Von der Leyen, në ditët pas vendimit të Gjykatës, ishte siguruar se do të përdorte të gjitha kompetencat e parashikuara nga traktatet, duke gjetur kundërshtimin e qeverisë polake dhe mbështetjen e dhjetëra mijëra qytetarëve polakë, të cilët protestuan në rrugë e sheshe për të riafirmuar vullnetin e tyre për të qëndruar brenda BE-së.

Këtë të martë, gjatë seancës plenare, von der Leyen dhe Morawiecki u përplasën para Parlamentit të BE-së mbi krizën e sundimit të ligjit.

“Ne jemi të shqetësuar për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese Polake”, – tha von der Leyen, duke përsëritur se vendimi “vë në dyshim bazën e BE-së dhe përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj unitetit të sistemeve ligjore evropiane”.

“Kjo është një situatë që mund dhe duhet të zgjidhet, – vazhdoi von der Leyen, – dhe ne duam një Poloni të fortë në një Evropë të bashkuar. Pa popullin polak, udhëtimi ynë evropian do të kishte qenë shumë i ndryshëm. Kur Karol Wojtyla, si Papë, shkoi në atdheun e tij, ai ndryshoi përgjithmonë historinë evropiane. Kur Lech Walesa me një grup sindikalistësh mundën një ushtri të fuqishme, ne pamë fillimin e rënies së Perdes së Hekurt. Dhe kur Presidenti Lech Kaczynski (vëllai binjak i udhëheqësit të Pis, i cili vdiq në Smolensk, Rusi, në një aksident ajror në vitin 2010), ratifikoi Traktatin e Lisbonës, së bashku me Kartën e të Drejtave Themelore, ai riafirmoi angazhimin e Polonisë për vlerat tona. Populli polak ka luajtur një rol themelor në Evropë”.

“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që vlerat tona të përbashkëta të vihen në rrezik. Komisioni do të veprojë. Dhe opsionet janë të gjitha të njohura”, – tha von der Leyen.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë