Politike

Porositë para zgjedhjeve të Komisioneres së BE-së për Ramën, Bashën e Metën: Kandidatë të pastër në lista!

Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson ka dhënë sot në Tiranë porosi para zgjedhjeve të 25 prillit që kandidatët për deputetë në listat e partive të jenë me integritet të lartë. Deklaratat Komisionerja i ka dhënë pas takimeve me Kryeministrin Edi Rama, kreun e PD Lulzim Basha dhe Presidentin Ilir Meta.

Fillimisht ajo përgëzoi Shqipërinë dhe tha se vendi ynë ka arritur progres, në veçanti vitin e fundit për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe punët e brendshme, sigurinë dhe migracionin. “Është kënaqësi për mua që jam në Tiranë me ftesën që më ishte bërë dhe vërtetë kënaqësi që patëm një diskutim të hapur e të sinqertë me kryeministrin Rama. Folëm për shumë gjëra sigurisht, por një nga mesazhet kryesore që kam dhënë këtu është që të përgëzoj të gjithë Shqipërinë për arritjet, në veçanti gjatë vitit të fundit dhe jo vetëm në fushën e këtij mandati që mbuloj unë për çështjet e drejtësisë dhe punët e brendshme, për sigurinë dhe migracionin. Ecuria dhe progresi i Shqipërisë gjatë vitit të fundit, shumë i mirë dhe ndaj u vendos të hapen negociatat dhe në dhjetor ne pamë që u përmbushën të gjitha kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare,” shpjegoi Johansson.

Më tej ajo shtoi se ka nevojë për një bashkëpunim më të mirë policor dhe një zbulim të krimit në kufijtë tanë. Komisionerja solli si shembull problemin me kërkesat e pabazuara për azil në disa nga shtetet anëtare të BE. Ajo shpjegoi se është e rëndësishme të vazhdohen reformat në këtë drejtim, për sundimin e ligjit dhe për të pasur këtë bashkëpunim të mirë.
Për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, Komisionerja u shpreh se partitë duhet të marrin përgjegjësitë për kandidatë me integritet.
“Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve dhe të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësitë që të kenë integritet të kandidatëve në lista. Ky ka qenë një takim vërtetë shumë i mirë dhe jam këtu për t’iu uruar për këtë progres por sigurisht që akoma më shumë duhet bërë”, shtoi më tej komisionerja.

Këtë qëndrim ajo e pati në një deklaratë për shtyp me kryenegociatorin për integrimin, Zef Mazin, pas takimit me të dhe kryeministrin Rama. Mazi u shpreh se gjatë diskutimit u mor mbështetja për hapjen sa më shpejtë të bisedimeve Shqipëri-BE për integrimin si dhe u vlerësua bashkëpunimi rajonal. “Diskutuam për integrimin dhe të gjithë gamën e çështjeve që përfshinë problematikat e brendshme. Shqipëria është në prag të fillimit të negociatave të anëtarësimit dhe çështjet që diskutuam ka në ndikim në ecjen përpara. Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë rajonal dhe krijimit të tregut të përbashkët rajonal jemi drejt nënshkrimit të një marrëveshje rajonale për qarkullimin vetëm me ID të qytetarëve nën të gjithë rajonin. Gjatë diskutimeve morëm mbështetjen e komisioneres në të gjitha veprimet e ardhme në Bruksel dhe për të përcaktuar sa më parë zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Mazi.

Ndërsa pas takimit me komisioneren e BE, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se e ka njohur atë me planin anti-mafia, kundër krimit dhe korrupsionit. Kërkesat për integrimin në BE Basha tha se janë shtuar sepse Rama sipas tij ka dështuar të plotësojë kushtet minimale. “E njoha me planin tonë anti mafia. Me komisionerin për punët e brendshme të BE kam bashkëpunuar ngrohtësisht dhe kujtuam se si bashkëpunimi i atëhershëm dhe kushtet që ccuan te reformat dhe reformat që ccuan te të mirat që gëzojnë sot shqiptarët sollën diccka të paimagjinueshme para 11 vjetësh. Tani është detyra e qeverisë që do të dalë pas 25 prillit dhe vullnetit tim politk që do ta drejtojë atë qeveri drejt përmbushjes së kushteve që Shqipëria të përfitojë të djera të mira materiale dhe jo vetëm. Angazhimi për të përmbushur këto kushte do të sjellë një përmirësim. Standard jetese mirëqenie dhe punësim për shqiptarët. Mora dhe angazhimin e komisioneres për të vazhduar për të ndihmuar shqipërinë ku pa dyshim ajo që do të bëjë ndryshimin është vullneti politik timin të pd dhe të koalicionit tonë, dhe do bëjmë ë mundur që shqiptarët të gëzojnë benefitet e angazhimit në BE. Kërkesat janë shtuar se Rama ka dështuar të plotësojë kushtet minimale”, tha Basha.

Ndërsa Presidenti Ilir Meta pas takimit me Johansson, shkruan se i ka shprehur komisioneres rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për rrugën europiane të Shqipërisë. Ai thekson se “pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, krimi i organizuar do të marrë goditje të prerë dhe Shqipëria do të kthehet në shinat e shtetit ligjor dhe të respektimit të plotë të të drejtave të njeriut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë