Politike

Porti i Durrësit / Alibeaj: Afera më e madhe korruptive. Rama: Investim i paparë, jeni opozitë e rublave. Berisha: Aferë Rama-Vuçiç

Nga Gazeta ‘SI’ – Votimi pro miratimit me procedur të përshpejtuar të projektligjit për portin e ri turistik të Durrësit nga mazhoranca në Kuvend, solli debate midis kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ku ky i fundit e cilësoi si aferën më të madhe korrruptive në vend.

Alibeaj kërkoi që të deklarohet se kush ka votuar pro këtij projektligji, që sipas tij synon fshehjen e aferave nga qeveria.

“Ore çfarë pazari keni bërë, me kë e keni bërë, sa fiton shteti shqiptar.? Ku është transparenca në këtë mes? Harrojeni lotarinë kombëtare, harrojini të gjitha. Asgjë nuk krahasohet me këtë aferë. 2 miliard e 100 mijë euro. Askush nuk e di sesi janë zhvilluar negociatat. Minimalisht keni detyrimin për t’ua treguar shqiptarëve se çfarë po ndodh me pronat e tyre. Ky parlament të mos e miratojë sot këtë ligj. S’ka parë ndonjëherë ky vend. Janë minimalisht 8 shtojca ku tregohen se çfarë pazari është bërë me portin e Durrësit. Por fakti që nuk i keni sjellë sot, aty fshihet djalli, te detajet. Kam një thirrje për ata që duhet të përballen me këtë gjë. Po përballet me një procedurë parlamentare të korruptuar. Kjo aferë shumë shpejt mund të shndërrohet në aferën më të madhe korruptive”, – u shpreh Alibeaj nga foltorja.

Reagimi i deputetit demokrat ka nxitur një tjetër nga kryeministri i Edi Rama, i cili tha se Alibeaj po përbalt një investitor global.

“Duhet të jetë sepse kështu mendojmë ne. Ne nuk kemi kohë për të humbur që kemi më shumë se një vit që negociojmë këtë kontratë, ku shteti shqiptar merr pjesë me aksione. Por ju jeni ca të mbaruar, të pafytyrë që nuk keni as fe, as atdhe, as din e iman. Me ca kurajo ti çohesh këtu dhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet të ekonomisë globale. Përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si rezultat i një marrëdhënie strategjike prej të cilës po bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë, që e transformon Durrësin në pikën kryesore të turizmit në Mesdhe dhe ndërkohë këtu as u miratua gjë as u diskutua. Thjesht u fut më procedurë të përshpejtuar një projektligj që do marrë kohën për diskutim”, -tha Rama teksa përmendi dhe njëherë çështjen e financimeve ruse në PD, duke iu drejtuar deputetëve se u paguan për të shkatërruar shtetin shqiptar.

Mazhoranca në Kuvend ka votuar propozimin e AIDA për përshpejtimin e procesit të miratimit të “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, me 62 vota pro dhe 19 kundër.

Ish-kryeministri Sali Berisha, foli po ashtu nga foltorja e Kuvendit se porti i ri turistik i Durrësit është megaafera më e madhe në Europë dhe se ajo po bëhet në interesa të Serbisë.

“Dua të qartësoj shqiptarët se ka ikur njeriu që ka për flamur, flamurin e Vuçiçit, që ka për atdheu, atdheun e Vuçiçit. Afera e Durrësit është aferë Rama-Vuçiç. Pas aferës qëndrojnë vëllezërit Kariç, të sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania, që tani bëjnë biznes me Edi Ramën. Dubai i Edi Ramës në Durrës është mega-afera më e madhe sot në Europë. I një njeriu që për të mbushur xhepat dhe për interesat e Vuçiç, i shkatërron vendit, portin mijëravjeçar”, -tha Berisha.

Ai shtoi se në 9 vite qeveria vazhdon të përmendë 2013-n dhe nuk ka bërë asgjë për vendin, përveç se është pasuruar, ka vjedhur dhe ka ndërtuar vila.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, mohoi akuzën e Berishës për përfshirjen e Serbisë në këtë investim.

“Se ju punoni për interesa të Rusisë dhe Serbisë dhe kapërceni embargot, nuk do të thotë se e bëjmë dhe ne. Porti “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, është investimi më i madh në Europë, jo vetëm në rajon dhe nga ai do të përfitojë sigurisht edhe Serbia, edhe Maqedonia e Veriut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë