Nga Gazeta ‘SI’ – Projektligji për prodhimin e kanabisit mjekësor është shqyrtuar sot në komisionin e Ekonomisë, ku përsëri është shoqëruar me debate.
Prezantimi u bë nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Entela Ramosaçaj, ku njësoj si ministrja Ogerta Manastirliu tha se qëllimi i këtij ligji është të zgjerojë aktivitetin ekonomik të Shqipërisë, njësoj si ka ndodhur me vendet e tjera që e kanë miratuar një ligj të tillë.
Ramosaçaj tha se për çdo proces të aktivitetit, nga blerja e farave dhe fidanëve e deri tek prodhimi dhe licensimi, do të ketë nga një njësi të posaçme që monitoron proceset dhe raporton tek ministria e Shëndetësisë, si autoritet drejtues.
Ajo shtoi se do të ngrihet dhe një regjistër kombëtar ku do të ketë çdo detaj mbi prodhimin, qarkullimin, lejet e kanabisit etj.
“Për kultivimin e kanabisit mjekësor, lejet jepen 10-vjeçare dhe duhet të mbillen në një hapësirë nga 5-10 ha. Për kanabisin industrial, lejet janë 5-vjeçare dhe masa e tokës është deri në 1 ha”, shpjegoi zv.ministrja.
Njësoj si anëtarët e tjerë të komisionit, edhe deputeti socialist Erjon Braçe ngriti pyetjen se pse duhet të merret ministria e Shëndetësisë me këtë ligj kur bëhet fjalë për mbjellje, prodhim, kultivim dhe eksport.
Braçe përmendi dhe një paqartësi në projektligj lidhur me bizneset që mund të marrin licensat.
“Ju keni vendosur një kusht, një aksioner i një shoqërie që merr licensën thuhet se duhet të zotërojë 51% dhe të ketë 3 vjet veprimtari jashtë Shqipërisë dhe të ketë licensë eksporti, i bie që këta të jenë të huaj, kush do e kontrollojë? Këtu vetëm do të importohet dhe mbillet apo do përpunohet dhe prodhohet këtu produkt i gatshëm për tregun?”, pyeti deputeti Braçe.
Ai kërkojë të dijë nga përfaqësuesit e ministrive nëse proceset do të jenë të ndara, sa do të jepen për eksport, si do të tatohet dhe si do e ndihmojë ekonominë.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku pyeti përfaqësuesit e qeverisë për “ekonominë e re” dhe sa pritet të jetë përfitimi në buxhet dhe si do të kontrollohet territori?
“Në raportin e OKB-së Shqipëria është një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë. Çfarë masash do të marrë qeveria që qartazi ka dështuar deri më tani? Në projektligj ka një “vlerësim të pastërtitë të figurës” për atë që do merret me këtë aktivitet, kush e përcakton këtë? Ne nuk kemi vetting në administratën publike që mund të bëjë një vlerësim të tillë. Nga ana tjetër, dënimet që ju vendosni në rast kundravajtje, janë në kundërshtim me Kodin Penal”, tha Tabaku duke shtuar se 200 ha tokë për kanabis, kur vetëm 4.000 përdorin fermerët do të dëmtojnë bujqësinë.
Deputeti Bujar Leskaj, nuk komentoi gjatë projektligjin por ironizoi duke thënë se si do të mundet qeveria të kontrollojë hektarë me kanabis kur nuk kontrollon dot çadrat e plazhit dhe një grurore, referuar rasteve të fundit të dhunës dhe vdekjeve në vend.
Fjalën më pas e mori përsëri zv.ministrja Ramosaçaj duke sqaruar se ministria e Shëndetësisë e ka marrë përsipër këtë aktivitet pasi duhet të koordinohet me autoritetet e jashtme të së njëjtës fushë kur të eksportohet si produkt mjekësor.
Ajo tha se synimi është që Shqipëria të bëhet dhe përpunuese e kanabisit dhe të eksportojë një produkt të gatshëm.
Zv.sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona tregoi se për përcaktimin e standarteve të prodhimit të kanabisit industrial dhe mjekësor nuk mund të futej në ligj, por do të shoqërohet më vonë nga një VKM.
“Kërpi (fara) është edhe sot i ligjshëm. Tipologjitë e prodhimit do të nisë nga tharja, nxjerrja e vajit dhe deri tek bari narkotik, si për kanabisin mjekësor dhe atë industrial. Produktet e tjera që thoni ju për konsum nuk lidhen me këto produkte edhe pse janë nga e njëjta familje”, tha Kokona duke shtuar se taksat vendosen në një ligj tjetër.
Ajo sqaroi se shkeljet që mund të bëhen në këtë fushë do të ndëshkohen sipas Kodit Penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje