Politike

Pr.ligji/ Ministria e Jashtme merr në dorë Diasporën

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka parashikuar disa ndryshime në ligjin “Për Diasporën”, duke e kthyer atë në varësi të ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.  

Projektligji i hedhur për konsultim thekson se Agjencia Kombëtare e Diasporës do të jetë e centralizuar në MEPJ, e cila do të hartojë të gjitha politikat e diasporës dhe si i vetmi kanal komunikimi për atë.

Në dokument qeveria thekson se institucionalizimi i diasporës, që ndodh edhe në vendet e tjera, do t’i japë më shumë rëndësi dhe lehtësi çështjeve të diasporës, në kuadrin ekonomik dhe atë social.

“MEPJ bën hartimin e politikave shtetërore për diasporën, ndërmerr hapa të rëndësishëm dhe konkret për ruajtjen e lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës, tërheqjen dhe rritjen e kontributeve të diasporës në atdhe, jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe të burimeve dhe resurseve njerëzore, duke u bazuar edhe në planet e veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën për vitet 2021-2025”, thuhet në draftligj.

Aty parashikohet dhe krijimi i QKD-ve, Qendra Kulturore të Diasporës, të cilat do të hapen në shtetet ku ka diasporë shqiptare dhe përfaqësuesi i njësisë zgjidhet nga ministri përgjegjës. QKD-të do të jenë në varës të ambasadorit shqiptar sipas shteteve përkatëse.

Projektligji është vazhdim i një vendimi të miratuar nga qeveria Rama pranverën e shkuar, ku vendosej shkrirja e Agjencisë për t’u bashkuar me MEPJ-në. Fillimisht, AKD-ja ishte në varësi të ministrisë së Shtetit për Diasporën, e cila u shfuqiza 3 vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë