Holanda ka hapur sërish ditët e fundit diskutimin për rikthimin e vizave me Shqipërinë, duke ngritur shqetësimin për emigracionin dhe kriminalitetin nga vendi ynë edhe pse në një vit pandemie lëvizja thuajse ka qenë e bllokuar. Ky diskutim është i zakonshëm përpara zgjedhjeve në Holandë vjen pak përpara votimeve të 17 marsit. Në një mbledhje të kabinetit të qeverisë Holandezë me 23 shkurt, ministrat diskutuan mekanizmin e pezullimit të heqjes së vizave për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedonië e Veriut dhe Serbinë, duke diskutuar nëse vazhdojnë të përmbushin kërkesat e liberalizimit të vizave.
Pasi i kërkoi Komisionit Europian vitin e shkuar të rikthente regjimin e vizave me vendin tonë duke thënë se lëvizja e lirë kishte sjellë fuqizimin e bandave shqiptare në Holandë, Amsterdami ka premtuar ta ndjekë nga afër këtë çëshjte, duke e venë edhe si kusht për hapjen e negociatave. Ministri i Jashtëm, Stef Blok ka thënë gjatë mbledhjes se Qeveria ka rritur bashkëpunimin me Shqipërinë për kthimin e azilantëve, por shpreh shqetësimin se Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje krimit ndërkufitar.
“Holanda është përballur me aktivitete kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit të drogës dhe njerëzimit. Qeveria gjithashtu ndan shqetësimin e Komisionit për numrin e vazhdueshëm të kërkesave të pabazuara për azil, në veçanti nga Shqipëria, dhe barrën e panevojshme që do të thotë mbi sistemet e azilit të vendeve anëtare të BE”, tha Blok.
Sipas tij, për të luftuar emigracionin e paligjshëm nga Shqipëria, qeveria holandeze ka marrë disa masa, përfshirë edhe intensifikimin dhe mbikëqyrjen e kufijve detarë rreth portit të Roterdamit.
“Për më tepër, bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është intensifikuar duke përfshirë edhe operacionet e përbashkëta me Autoritetet belge dhe IOM-in në Shqipëri”, tha ai.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për seriozitetin e krimit të organizuar të kryer nga persona nga Shqipëria dhe i kërkoi Komisionit Europian të shtjellonte këtë çështje në raportet e ardhshme. “Qeveria do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare dhe të sigurojë që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave”, tha ministri. “Krimi i organizuar mbetet një shqetësim, veçanërisht në trafikimin e paligjshëm të armëve dhe drogës”, shtoi ai.

Megjithatë, ai pranoi se për shkak të pandemisë, numri i kërkesave për azil nga persona me kombësi shqiptare u ul në vitin 2020 krahasuar me vitet e mëparshme. Korrikun e kaluar, Holanda tërhoqi vëmendjen për numrin e kërkesave të pabazuara për azil nga Shqipëria. Holanda thotë se është e rëndësishme që Shqipëria të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të në mënyrë që të zvogëlohet më tej emigrimi.
Holanda ka theksuar vazhdimisht se po monitoron nga afër përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, një diskutim që bëhet edhe më i zjarrtë sa herë që ka zgjedhje. Përqendrimi i qeverisë tek kjo çështje pak para nisjes së fushatës, sinjalizon në fakt se liberalizimi i vizave mund të përdoret për motive të brendshme politike. Kjo çështje është shumë e ndjeshme në sytë e publikut edhe për shkak të pranisë të madhe të bandave shqiptare në qytetete si Amsterdami dhe Roterdami.
Në maj të 2019, qeveria e Holandës ka dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët, duke thënë se kriminaliteti shqiptar ishte kthyer në një rrezik për sigurinë e vendit.
“Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë”, theksonte në atë kohë Holanda.
Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit.
Në vitin 2018, Departamenti i Hetimeve penale, gjyqësori, Bashkia e Amsterdamit dhe autoritetet tatimore ndërmorën një hetim të përbashkët për numrin e shqiptarëve që janë të përfshirë në trafikun e drogës në Holandë. Atë vit, autoritetet holandeze arrestuan gati 500 të dyshuar shqiptarë. Numri i kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarët u rrit ndjeshëm në vitet 2015 dhe 2016, me më shumë se 1300 aplikantë në vit. Në vitin 2018 janë dorëzuar 550 aplikime, por sipas mediave holandeze shumica e kriminelëve shqiptarë nuk janë të njohur për autoritetet, sepse nuk janë të regjistruar në Holandë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje