Interi u përpoq të merrte kroatin Luka Modriç nga Real Madrid gjatë merkatos së verës. Nuk ia doli ta bënte këtë transferim, por nuk duhet të ketë asnjë peng, sepse nuk mund ta merrte mesfushorin më të mirë të Botërorit të Rusisë.
Në Spanjë është zbuluar një prapaskenë e Realit në lidhje me historinë e Luka Modriç. Presidenti Florentino Perez ishte vënë në lëvizje gjatë merkatos së verës për rinovimin në mënyrë automatike të kontratës së mesfushorit. Dhe Modriç e kishte firmosur kontratën e re para se të fitonte “Topin e Artë”. Lajmi bëhet i ditur nga “Mundo Deportivo”, që shkruan se presidenti i “Los Blancos” nuk mund të linte të largohej një nga kolonat më të forta të skuadrës. Pas verës, ai aplikoi opsionin e rinovimit automatik, që e bën të vlefshme kontratën e Modriç edhe për një vit tjetër. Konkretisht, kontrata e kroatit me realin nuk skadon në vitin 2020, por në vitin 2021. Modriç më pas e firmosi kontratën para se të fitonte “Topin e Artë”, pra disa muaj më parë.

Po pse veproi kështu presidenti Perez? Lajmi i rinovimit të Modriç është mbajtur i fshehtë për të evituar kërkesat e lojtarëve të tjerë të skuadrës për kushte më të mira ekonomike. Lojtarë si Benzema dhe Kros, apo ndonjë tjetër, nëse do ta kishin marrë vesh lajmin, me siguri do të kishin trokitur në derën e Perezit për ta zgjatur edhe ata kontratën, natyrisht me një rrogë më të mirë. Ivan Rakitiç, mesfushori i Barcelonës, e kishte mësuar këtë gjë nga shoku i tij në kombëtaren kroate.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje