“Qëllimi është të administrojmë 200 milionë doza të vaksinës Covid në 100 ditët e para të mandatit tim. Unë e di që është ambicioze, por ne mund ta bëjmë atë”.
Kështu ka deklaruar gjatë konferencës së parë për shtyp që nga betimi i tij në 24 janar në Kapitol Hill, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Megjithë emergjencën e lidhur me pandeminë, në frontin ekonomik, ka “shenja shprese” por, specifikoi ai, “ka ende shumë punë për të bërë”.
Vlerësimet e rritjes – Sipas Bidenit, shumë vëzhgues kanë “rishikuar vlerësimet e rritjes për këtë vit, duke treguar një rritje ekonomike prej më shumë se 6%. Por ka shumë amerikanë ende pa punë, ka shumë punë për t’u bërë ende”, – tha ai në konferencën e tij të parë për shtyp që nga marrja e detyrës në Shtëpinë e Bardhë.
Sulmi ndaj Trump mbi emigracionin – Deri më tani, Covid ka qenë në qendër të mendimeve dhe veprimeve të administratës së re, por vetë Biden shtoi se, “unë u zgjodha për të zgjidhur problemet. Emigracioni dhe kontrolli i armëve janë probleme afatgjata që kam nisur t’i përball “.
Pikërisht për çështjen e emigracionit, Biden kritikoi paraardhësin e tij, Donald Trump. Duke iu përgjigjur një pyetje në lidhje me emergjencën në kufirin me Meksikën, ai tha se nuk do t’ia kthejë shpinën fëmijëve të pashoqëruar në kufi dhe nuk do t’i lerë ata të uritur. “Asnjë administratë tjetër nuk do ta bënte atë, përveç Trumpit”, shtoi Biden.
Rikandidimi – “Pjesa dërrmuese e fluksit të emigrantëve që kalojnë kufirin, kthehen mbrapa. Ajo që po përpiqemi të bëjmë, është të rindërtojmë sistemin e emigracionit. Lëvizje migrantësh do të ketë çdo vit”, – theksoi Biden, duke pohuar qëllimin për të rikandiduar përsëri për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. “Mund të rikandidoj sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ky është objektivi im”.
Politika e jashtme e SHBA – Ka disa fronte të hapura për SHBA-në në çështjet e politikës së jashtme. Duke filluar me atë shumë delikate të Afganistanit: “Do të jetë e vështirë të zbatohet afati i 1 majit, për tërheqjen e trupave. Ne do të largohemi nga Afganistani, pyetja është se kur, por qëllimi im nuk është të qëndroj akoma gjatë. Unë nuk mund t’i imagjinoj trupat tona atje përsëri në vitin 2022”, – shpjegoi ai.
Pastaj, mbi tensionet me Korenë e Veriut, pas lëshimit të dy raketave balistike, Biden shtoi:” Ne po këshillohemi me aleatët dhe partnerët: do të ketë një përgjigje nëse Pheniani zgjedh një përshkallëzim. Por unë jam gjithashtu i gatshëm për një formë të diplomacisë, me kusht për një denuklearizim”.
Xi Jinping – Biden më pas foli për Kinën dhe shpjegoi se ai donte “jo një konfrontim, por një konkurrencë të ndershme” me Pekinin.
Dhe për Presidentin, Xi Jinping, ai vijoi: “Unë e njoh atë për një kohë të gjatë, është një person inteligjent, por nuk ka asgjë demokratike…”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje