Rend dhe Ligj

Prerja dhe dëmtimi i pyjeve në Dibër, arrestohet oficeri i policisë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka arrestuar një punonjës policie në Dibër, si dhe ka shpallur një person në kërkim, pasi akuzohen për prerje dhe dëmtim të pyjeve.

Në pranga ka rënë polici Th. Z., i cili sipas SHÇBA, ishte pjesë e aktivitetit kriminal të prerjes së drurëve, transportit dhe shitjes së tyre për djegie në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbin, Fushë-Krujë e Lezhë.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi B. L., nga Fushë Bulqiza, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”.

Veprimtaria e kundërligjshme u dokumentua pas disa hetimesh, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprat penale.

SHÇBA thotë se aktiviteti kriminal dyshohet se nis me prerjen e drurëve, transportin, magazinimin e më pas transportin e tyre për shitje për djegie, në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbinit, Fushë-Krujë e Lezhë. Pjesë e tregtimit të paligjshëm ishte dhe një minierë, që furnizohej me trupa e shtylla druri që shërbenin për procese të aktivitetit të saj.

Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë