Presidenti Ilir Meta i jep fund presidencës së tij pesëvjeçare, me një bilanc që për disa është pozitiv, për të tjerë negativ. Meta hyri ‘me qetësi dhe dashuri’ në Presidencë më 24 korrik të 2017-s, duke pasuar Bujar Nishanin.
I votuar nga socialistët dhe LSI më 29 prill të atij viti, Ilir Meta argumentoi pranimin e propozimit të Edi Ramës për t’u ngjitur në Presidencë me shmangien e një krize. Rama nga ana tjetër tha se opozita nuk kishte për të gjetur aleat më të mirë se Meta në Presidencë.
Zgjedhjet u paraprinë nga një krizë politike me kërcënimin e PD-së për të mos marrë pjesë në proces. Kriza u zgjidh me marrëveshjen e 17 majit Rama-Basha, që shtyu datën e mbajtjes së tyre me një javë, nga 18 qershori më 25 qershor.
Afatet kushtetuese për ngritjen e koalicioneve ishin tejkaluar dhe në ato zgjedhje të partitë hynë më vete. Beteja, si e Ramës ashtu edhe e Bashës u përqëndrua më fort kundër LSI-së. Basha e quante SHPK e sipërmarrje familjare, ndërsa Rama ‘e quante parti të Ilir Metës, që administrohej nga Monika Kryemadhi’.
Si President i zgjedhur, Meta udhëhoqi LSI-në në fushatën zgjedhore parlamentare, ku e humbura e madhe doli PD e Lulzim Bashës. Rama siguroi shumicën i vetëm me 74 mandate, Meta mori 19 të tillë, ndërsa PD u reduktua në 43 mandate.
Viti i parë, ‘qetësi e dashuri’
Me të përmbyllur zgjedhjet, Meta veshi kostumin presidencial. Retorika e tij u zbut dhe në daljet publike si president i zgjedhur fjalimet ishin të balancuara. Më 24 korrik u betua dhe hyri në Presidencë, ndërsa në krye të LSI-së la Kryemadhin me 19 mandate në Kuvend.
Viti i parë presidencial i Metës ishte i qetë, e ndoshta edhe i mërzitshëm për të. Nga 24 korrik 2017 deri më 24 korrik 2018, nga 60 ligje të miratuara nga Kuvendi, Ilir Meta kaloi 53, gjashtë kaluan në heshtje dhe vetëm ligji që rriste tarifat gjyqësore u kthyer për rishqyrtim në Kuvend.
E vetmja përpasje me Ramën, por që u zhvillua më shumë pas kuintave se sa në publik ishte ajo për drejtuesin e Shërbimit Informativ Shtetëror pas dorëheqjes së Visho Ajazi Likës. Në fund të tetorit 2017-të, Rama dorëzon në zyrën e Presidentit emrin e Helidon Bendos. Meta e mbajti pezull dekretimin për më shumë se një vit, duke e firmosur vetëm në 6 nëntor të 2018-s.
Përplasja më e bujshme në vitin e parë të Metës President lidhej me votën kundër rezolutës së propozuar nga SHBA në OKB, ku kërkohej që Jeruzalemi të njihej si kryeqytet i Izraelit. Në këtë votim, Qeveria shqiptare ndoqi linjën e Bashkimit Europian.
Megjithatë, Meta e kundërshtoi madje i dërgoi edhe një letër Presidentit të SHBA, Donald Trump ku i kërkonte ndjesë për votën kundër.
“Vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”, shkruante Meta në letrën e tij.
Po në vitin e parë në Presidencë, përplasja tjetër e Metës ishte me Ministrinë e Jashtme për marrëveshjen e detit me Greqinë. Për gati 1 muaj Presidenti refuzoi t’i jepte autorizimin për uljen në tryezë të grupit negociator, duke argumentuar të gjithë “refuzimin e tij me baza ligjore dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2010-s. Pas një morie letërkëmbimesh e dosjesh që mbërritën në Presidencë, Meta e dha autorizimin, por me 21 kërkesa për t’u plotësuar përpara se marrëveshja të shkonte në zyrën e tij.
Përplasja e madhe
Viti i dytë në Presidencë nuk do të ishte aq i qetë sa i pari dhe ai përcaktoi të gjithë marrëdhënien e Metës me qeverinë, mazhornacën në Kuvend, me opozitën e deri me ndërkombëtarët. Përplasja filloi me anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019-të.
Më 18 shkurt 2019-të, PD e LSI morën vendimin politik për të djegur mandatet me objektiv delegjitimimin e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Meta dënoi me gjysmë zëri djegien e mandateve, ndërsa më vonë do të deklaronte se ky vendim i opozitës nuk ishte konsultuar me të dhe akuzoi si Bashën, ashtu edhe Kryemadhin se me këtë vendim e lanë të vetëm përpara mazhorancës.
Djegia e mandateve ishte hapi i parë i lëvizjes së opozitës. Protesta pasuan, ndërsa një pjesë e të rënditurve më poshtë në listat e PD e LSI-së thyen vendimin politik dhe morën mandatet e lëna nga të tjerët. Kjo formoi në Kuvend atë që për dy vite u quajt opozita parlamentare, që më shumë se opozitë ishte pjesë e mazhorancës, pasi shumica e ligjeve dhe vendimeve të qeverisë kalonin në Kuvend me mbi 90 vota pro.
Vendimi i dytë politik i opozitës ishte bojkoti i zgjedhjeve vendore. Por, Rama shkoi përpara me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve pavarësisht qëndrimit opozitar. Këtu ndërhyu Meta duke nxjerrë një dekret që anulonte dekretin e datës së zgjedhjeve. E thënë më thjesht, anulonte zgjedhjet me arsyetimin se shkelnin parimin kushtetues të garës në pjesëmarrje. Meta i cilësoi zgjedhje moniste. Zgjedhjet u mbajtën dhe PS mori të gjitha bashkitë.
Përplasja u thellua në vjeshtë të 2019-s. Në fund të shtator, KED miratoi listat emërore me kandidatët që plotësonin kushtet për vakancat e shpallura nga Presidenti dhe Kuvendi për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në krye të listave qëndronte emri i Arta Vorpsit.
Pasi Meta zgjodhi një emër, Kuvendi zgjodhi radhazi dy të tjerë, duke i lënë Presidentit Meta si alternativë për të zgjedhur vetëm emrin e Arta Vorpsit. Meta e refuzoi dhe kur procesi i ripërsërit, në listën e kandidatëve qëndronte sërish Arta Vorpsi, por Meta zgjodhi Marsida Xhaferllarin.
Në përplasje me mazhorancën, Meta akuzonte për një grup të strukturuar mafioz që synonte kapjen e drejtësisë. Pjesë e këtij grupi, sipas Presidentit ishte Ardian Dvorani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Meta ngriti një seri padish ndaj tij, përfshirë edhe një padi të dorëzuar në SPAK.
Drejtësia dhe institucionet e reja të saj e vendosi Metën në kurs përplasje edhe me ndërkombëtarët, sidomos me Ambasadën e SHBA dhe Ambasadoren Yuri Kim. Kjo përplasje kulmoi në fushatën zgjedhore të 2021. Në një nga deklaratat e atyre ditëve, Meta u bëri thirrje qytetarëve që të kapnin deri edhe sfurqet për të mbrojtur votën.
Ambasadorja reagoi dhe kërkoi që politikanët të qëndronin larg retorikës që nxiste dhunën. Meta u kundërpërgjigj. Ambasadoren e akuzoi se po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë, po shkelte sovranitetin e vendit, se ishte bërë palë me Ramë dhe po sillej si guvernatore.
Për këtë dhe të tjera deklarata e qëndrime që mbajti gjatë ditëve të fushatës e shtynë mazhorancën socialiste që të ngrinte me shpejtësi Komisionin e dytë hetimor. Meta e cilësoi antikushtetues ngritjen e këtij komisioni, të kryesuar nga Alket Hyseni dhe nuk e njohu punën e tij.
Në një kohë rekord prej thuajse një muaji Komisioni përmbylli hetimin dhe i propozoi Kuvendin shkarkimin e Metës për shkelje të rënda të Kushtetutës. Shkarkimi u votua me mbi 100 vota në Parlament, duke marrë edhe votat e të ashtuquajturës opozita parlamentare. Fjala finale i kaloi Gjykatës Kushtetuese vendosi për mosshkarkimin e Presidentit.
Kthesa
Shpallja non grata e Sali Berishës nga SHBA në maj të 2021 dhe ato që pasuan më vonë brenda PD-së zhvendosi vëmendjen dhe qetësoi raportet e Metës, të paktën publikisht, si me mazhorancën ashtu edhe me ndërkombëtarët.
Presidenti kishte hyrë në vitin e fundit të mandatit të tij dhe betejat me socialistët i përqëndroi më shumë juridikisht me kthimin e ligjeve apo denoncimin e vendimeve që i konsideronte korruptive të Qeverisë.
Pranverën e këtij viti mbërrin edhe ‘shkrirja’ e akujve me Yuri Kim. Meta ishte në krah të një grupi ish-ministrash të Jashtëm në një pritje të organizuar nga Ambasada e SHBA me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përveç retorikës dhe përplasjeve të vazhdueshme me shumicën në Parlament, Ilir Meta është ndër Presidentët që ka kthyer më shumë ligje për rishqyrtim në Kuvend. Janë mbi 70 ligje e akte normative që Meta u ka kthyer socialistëve, kryesisht në katër vite në Presidencë, pasi në vitin e parë vetëm një të tillë ktheu.
Gjithashtu, Meta ka shpërndarë mbi 900 dekorata, ndërsa me qëndrimet e vendimet e tij nxiti mazhorancën që të ndryshojë si ligjin për dekoratat, ashtu edhe të shqyrtojë mundësinë e miratimit të një ligji që të rregullojë funksionin dhe kompetencat e Presidentit.
Sot, Presidenti e ushtron veprimtarinë e tij pa një ligj organik, por vetëm në bazë të parashikimeve të Kushtetutës. Kushtetutën këmbënguli Meta se mbrojti përgjatë të gjithë pesëvjeçarit në detyrë. Kushtetutën e akuzuan socialistët se shkeli vazhdimisht po përgjatë kësaj kohe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje