Futboll

Presidenti Duka: Me Rejan duam Euro 2024, Tare pikë referimi në Itali

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ndodhet aktualisht në Lisbonë, ku do të ndjekë finalet e mëdha të kompeticioneve europiane, Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës. Ai ka dhënë një intervistë për “Sky Sport”, ku ka folur mes të tjerash për objektivat e Kombëtares kuqezi, për futbollistët shqiptarë që luajnë në Itali dhe suksesin e Igli Tares te Lacio.

Si e shikoni finalen e të dielës, për cilën skuadër bëni tifozllëk?
Në fakt, nuk bëj tifozllëk për asnjë nga dy skuadrat finaliste të së dielës, pasi jam një tifoz i Milanit. Milani nuk është këtu, por e shikoj finalen si një ndeshje mes dy klubesh të mëdha që e kanë merituar të vijnë deri në finale. Jam i lumtur që në fund ne u rikthyem te futbolli dhe kemi arritur t’i mbyllim të gjitha aktivitetet. UEFA është e vetmja konfederatë në botë që ka arritur t’i mbyllë të gjitha aktivitetet, edhe për këtë jam i lumtur, për këtë organizim.
Kombëtarja shqiptare drejtohet nga një trajner italian, Reja. Ka një lidhje miqësore, gati vëllazërore nga ana e Shqipërisë, ku pas De Biazit erdhi Panuçi dhe tani Reja…
Ka kohë që kemi italianë si trajnerë. Shumë futbollistë shqiptarë luajnë në Itali edhe e njohin më mirë edhe mentalitetin. Jemi mësuar. Me De Biazin arritëm kualifikimin në Euro 2016, që për ne shqiptarët ishte si të arrinim yjet. Mëkat që ishte kjo periudha e virusit, e pandemisë COVID-19, na e ka vështirësuar aktivitetin tonë, por kemi të njëjtin objektiv me Rejan, që të kualifikohemi në Euro 2024. Shpresojmë që ta arrijmë me një italian tjetër në stol.

Duka dhe trajneri Reja, kur firmosnin kontratën. Gazeta Si, 21 gusht 2020

Sa i përket merkatos, ka më shumë futbollistë shqiptarë në Itali, si Berisha, Strakosha, Gjimshiti, gjithashtu edhe Tare si drejtor sportiv…
Tare është kthyer në pikë referimi, i cili me buxhet minimal ka arritur suksese me ekipin e Lacios në vitet e fundit. Sigurisht që ka ndihmuar futbollistët shqiptarë të afrohen te Lacio apo dhe në skuadrat e tjera italiane. Kemi shumë talente të rinj që luajnë në Itali, siç është rasti i Kumbullës, por kemi edhe të tjerë që janë të perspektivës. Kështu që shpresoj të kemi më shumë futbollistë në Serinë A.
Sa i përket finales së të dielës, cili është parashikimi juaj?
Sa i përket finales së të dielës të Ligës së Kampionëve është e vështirë të parashikosh, mendoj se Bajer Mynih është një skuadër më e konsoliduar, por është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje të vetme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë