Me ftesë të presidentit Bajram Begaj, presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç ndodhet në Tiranë për një vizitë dy ditore.
Presidenti kroat u shpreh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Begajn se, Serbia ka ngecur në negociata dhe se e ka përkrahur kryengritjen e armatosur në Kosovë.
“Serbia ka ngecur në negociata, ishte nisur me vrull të madh, natyrisht që kanë përkrahur kryengritjen e armatosur, por BE nuk pati reagimin e duhur. Përparimi është i ngadaltë në Serbi”, tha Milanoviç.
Begaj tha se në takimin mes tyre është folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe theksoi se ka shprehur mirënjohjen ndaj Kroacisë që ka mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE
Nga ana e tij, Milanoviç tha se Shqipëria ka bërë përparime në procesin e integrimit, por BE nuk ka reflektuar.
“Jam dëshmitarë i përparimit ekonomik të Shqipërisë. Progresi nuk është përcjellë me reagimet e duhur nga institucionet e BE-së. Dua të them sërish atë që kamë thënë që në 2012, në kohën kur kryeministër ishte Berisha, rrethanat ishin të njëjtat dhe absurdi ishte i njëjtë. Në vitin 2012 Shqipëria kishte 3 vite që ishte anëtare e NATO-s. Tentonte të bëhet anëtare e BE-së. Për Shqipërinë nuk ndodhte asgjë ne procesin e Integrimit. Duket se kemi një problem se kur një shtet është i mirë i organizuar i drejtuar si të jetë anëtar i NATO-s. Shqipëria e ka vendin e saj në NATO, pastaj në të njëjtën kohë avancimi drejt një aleance tjetër, që është më komplekse aty Shqipëria nuk ka mundur të bëjë hapin e parë. Duket se diçka aty është e pasinqertë. Kanë kaluar 11 vite kemi lëvizur nga vendi, por jo shumë” tha Milanoviç.
“Kjo vizitë më jep mundësinë që sipas traditës së mikpritjes ti kthej nderimin që më bëri në Kroaci. Dëshmon vullnetin për ta intensifikuar më shumë dialogun politik dhe për të zgjedhuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Vizita vjen në një moment kyç për rajonin, ku Shqipëria dhe Kroacia janë faktorë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Vlerësuam bashkëpunimin politik dhe mundësitë e reja mbi bashkëpunimin dypalësh, me fokus të veçantë marrëdhëniet ekonomike. E falënderova për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për integrimin dhe vendeve të tjera të rajonit. Kroacia mbetet për ne një model për tu ndjekur në rrugëtimin drejt BE. Nënvizova se zhvillimet aktuale e kanë bërë domosdoshmëri këtë proces, Kroacia do vijojë të mbështesë fort procesin e zgjerimit. Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i BE. Vëmendje i kushtuam nevojës së intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duhen më shumë përpjekje për ti nxitur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve”, tha Begaj nga ana e tij.
Në konferencën me presidentin kroat, Bajram Begaj ka dënuar sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.
“Nënvizova se pas aktit të Hamasit ndaj Izraelit bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës…”, tha Begaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje