Politike

Presidenti nga populli? Dy shembujt nga dy ‘miqtë’ e Ramës

Si republikë e pastër parlamentare, kompetencat e Presidentit në Shqipëri janë të kufizuara dhe kryesisht ceremoniale. Duke pasur parasysh këtë kufizim kompetencash, Edi Rama nënkuptoi se zgjedhja e tij me votim nga qytetarët do të ishte një investim i kotë.

Rama nuk e përjashton mundësinë që një ditë shqiptarët të zgjedhin Presidentin me votë popullore, por para kësaj thotë se duhet ndërmarrë një proces konsultimi me qytetarët dhe pse jo, referendumi për të ndryshuar Kushtetutën.

“Patjetër që Shqipëria mund ta zgjedhë një President nga populli nëse do të ndryshojë ngrehinën e vet kushtetuese dhe do t’i japë Presidentit disa instrumente që e bëjnë një figurë të zgjedhur nga populli, një figurë që njëkohësisht ka peshën dhe zërin e vet bazuar në atributet që jep Kushtetuta”, deklaroi Rama.

Për këto ndryshime, kryesocialisti u shpreh se do të jetë një pyetje që në konsultimin kombëtar të radhës. Nëse nga konsultimi, Rama do të bindet se qytetarët duan ta zgjedhin vetë Presidentin hapi i radhës i paralajmëruar prej tij do të jetë referendumi për ndryshimin e Kushtetutës, duke qenë se në Kuvend PS nuk i ka votat e nevojshme për ta ndryshuar atë.

“Ne kemi detyrimin t’u japim njerëzve mundësinë që të shprehen për këtë temë”, deklaroi Rama. Por, cili mund të jetë modeli i ndjekur për fuqizimin e kompetencave të Presidentit, gjithmonë nëse Rama do t’i shkojë deri në fund kësaj ideje?

Shembujt për këtë nuk mungojnë dhe dy prej tyre janë të freskët e të ndërmarrë nga dy miqtë e Ramës, i pari Recep Taip Erdogan në Turqi dhe i dyti Alexander Vuçiç në Serbi. Rastet nuk janë krejtësisht identike. Kur kapërceu nga kryeministria në Presidencë, Erdogan mori me vete edhe pushtetin, duke ndryshuar Kushtetutën. Vuçiç nga ana tjetër kaloi në Presidencë vetëm pasi e konsolidoi pushtetin dhe shumicën në Parlamentin vendas, megjithëse edhe Kushtetutën e ceku duke marrë me vete disa kompetenca shtesë si President.

Vuçiç u zgjodh President për herë të parë si President në 2017-n. Zgjedhja e tij pasoi protesta të qytetarëve, që akuzuan se ai po përpiqej që të vendoste një regjim autoritar në vend. Kritikët thanë se me një qeveri të drejtuar nga partia e tij, do t’i përgjigjej drejtpërdrejt atij në Presidencë, në vend të Parlamentt, duke goditur kështu sistemin e balancimit dhe kontrollit të pushteteve.

Protestat nuk patën rezultat. Vuçiç u betua më 31 maj, ndërsa në prill të këtij viti mori edhe mandatin e dytë pesëvjeçar si President i Serbisë, ndërsa një sërë raportesh ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe ato të progresit të BE-së i japin pjesërisht të drejtë akuzave të pesë viteve më parë të adresuara ndaj Vuçiç. Sipas “Reporterëve pa Kufij”, nga 2017-ta deri në 2022, Serbia ka rënë me 34 vende sa i takon lirisë së fjalës dhe medias, ndërsa për përkeqësim flasin edhe raportet e ‘Amnesty International’ për të drejtat e njeriut dhe të ‘Transparency International’ për korrupsionin.

Ndryshe nga Vuçiç, që de jure nuk e ka ndryshuar thellë strukturën e republikës parlamentare në Serbi, Erdogan në Turqi ndoqi një rrugë më të drejtpërdrejt. Ai thirri fillimisht një referendum për të ndryshuar Kushtetutën, duke e shndërruar vendin nga një republikë parlamentare në një presidenciale, por ku roli i parlamentit mbeti thelbësor, sidomos sa i takon politikës vendase. Për ta ‘korrigjuar’ këtë, Erdogan hodhi vitin e kaluar idenë për ta ndryshuar sërish Kushtetutën për t’i dhënë vetes më shumë pushtet.

Edhe në rastin e Turqisë, ashtu si në Serbi raportet e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare flasin për një përkeqësim të fortë të të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias, sidomos pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik të 2016-s.

Çështja është nëse Rama ka pasur një nga këta dy modelë në mendje kur foli për mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e Kushtetutës dhe nëse po, cilin?


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë