Presidenti Donald Trump shkarkoi të hënën nga detyra Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper, një akt i pashembullt nga një president që nuk po pranon humbjen në zgjedhje dhe që ka qenë kritik ndaj një udhëheqësi të Pentagonit, për të cilin beson se nuk është treguar besnik sa duhet.
Vendimi, i cili mund të shqetësojë aleatët ndërkombëtarë dhe udhëheqësit e Pentagonit, injekton një element tjetër pasigurie në një periudhë të vështirë tranzicioni ndërsa Joe Biden përgatitet të marrë detyrën e presidentit.
Presidentët të cilët janë rizgjidhur për një mandat të dytë shpesh i kanë zëvendësuar anëtarët e Kabinetit, përfshirë edhe sekretarin e Mbrojtjes, por ata që kanë humbur garën i kanë mbajtur shefat e tyre të Pentagonit në detyrë deri ditën e inaugurimit (të presidentit të ri), për të ruajtur stabilitetin në emër të sigurisë kombëtare.
Zoti Trump e njoftoi vendimin nëpërmjet një postimi në twitter duke thënë se ai “hyn në fuqi menjëherë”. Christopher Miller, drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, do të shërbejë si sekretar i përkohshëm, duke anashkaluar në këtë mënyrë zyrtarin e dytë sipas rangut në departamentin e mbrotjes, zëvendës sekretarin e Mbrojtjes David Norquist.
“Chris do të bëjë një punë të shkëlqyer!”, shkruante zoti Trump në Twitter. “Mark Esper e ka përfunduar detyrën. E falënderoj për shërbimin e tij”, shkruante më tej presidenti.
Lëvizja e papritur e zotit Trump për të larguar nga detyra zotin Esper ngre pikëpyetje rreth asaj se çfarë do të përpiqet të bëjë presidenti në muajt e ardhshëm përpara se të largohet nga detyra, përfshirë këtu riformatimin e pranisë së trupave amerikane jashtë vendit ose ndryshime të tjera të lidhura me sigurinë kombëtare.
Zoti Biden nuk e ka bërë ende të ditur se kë do të emërojë si shef të mbrojtjes, por është përfolur gjerësisht se ai po shqyrton emrin e zonjës Michele Flournoy, e cila nëse emërohet do të jetë gruaja e parë në këtë detyrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje