Futboll

Pret Luftëtarin e rënë, Partizani gati t’i japë një shkelm krizës

Pesë humbje radhazi, vendi i tetë në kampionat, që do të thotë “play out” dhe një javë e mbushur me zëra për largim të mundshëm të disa titullarëve me peshë si kapiteni Alban Hoxha e Esat Mala. Kjo është situata që po kalon Partizani, ekipi kampion në fuqi. Një situatë që duhet përmbysur në javët e fundit të kampionatit dhe shanset janë, “treni i fundit” nuk ka kaluar ende për të kuqtë.

Partizani është ekipi që ngre siparin e javës së 29-të të Superiores. Pret në kryeqytet Luftëtarin e rënë zyrtarisht nga kategoria dhe tri pikët duken të sigurta në letër, por më shumë se fitorja, ekipi i drejtuar nga trajneri Sormani duhet të rigjejë lojën dhe besimin në vetvete për t’i dhënë një shkelm krizës. Në lojë janë edhe shumë pikë dhe zona europiane është 7 pikë larg për të kuqtë, një diferencë e rikuperueshme, por më parë Partizani duhet të stabilizojë situatën brenda skuadrës.

Partizani feston një gol të Telushit. Gazeta Si, 14 qershor 2020

Për këtë arsye, ndeshja e sotme, që nis në orën 17:00, ka rëndësi të veçantë. Javët e fundit trajneri Sormani ka pasur vështirësi me grupin e lojtarëve të gatshëm dhe është detyruar ta modifikojë formacionin, por sot për të nuk ka asnjë justifikim. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me kapitenin Hoxha, i cili në ndeshjen e fundit ishte në stol. Po ashtu, pritet të mësohet reagimi ndaj Malës, lojtarit që ka kërkuar zyrtarisht në FSHF të shkëputë marrëdhëniet me klubin e kuq. Për të rinjtë e Luftëtarit ndeshja e sotme është një mundësi për të reklamuar vlerat e tyre më të mira, për t’u “peshkuar” nga drejtues të skuadrave të tjera për sezonin e ardhshëm.

Nesër luhen katër ndeshjet e tjera të javës së 29-të të Superiores, ku veçohen sfidat Teuta-Tirana dhe Skënderbeu Laçi. Renditjen e kryeson Tirana me 59 pikë, 9 para Kukësit. Bardheblutë presin vetëm matematikën për festën e titullit kampion.

Java e 29-të
Sot
Partizani-Luftëtari (17:00)
Nesër
Vllaznia-Bylis (17:00)
Kukësi-Flamurtari (17:00)
Skënderbeu-Laçi (18:00)
Teuta-Tirana (20:00)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë