Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave të 25 prrilt, duke publikuar rezultatet në Himarë dhe Këlcyrë, kanë mbërritur edhe pretendimet e para nga opozita për blerje votash.
Reagimi i parë nga Partia Demokratike ka ardhur nga numri një i qarkut të Dibrës, Xhelal Mziu, ku blloku opozitar po përballet me një humbje të papritur në një nga bastionet e selisë blu.
Në një reagim, Mziu thotë se është i shokuar nga rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit, dhe sipas tij, në shumë komuna votat janë blerë ose manipuluar nga qeveria.
“Jam shokuar sepse qëndrimi i pjesëmarrjes entuziazmi i tyre dhe konvertimi në vota është totalisht i kundër. Çudia ndodh se në disa fshatra dhe lagje më parë kishin entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe janë konvertuar tjetërsim votash. Kemi pasur disa bastione dhe ato kanë marrë rezultate negative. Kjo qeveri nuk heq dorë nga blerja e votave, atje ku ka gjetur terren e ka bërë”, thotë kandidati për deputet.
Një reagim po aq i ashpër ka ardhur edhe nga kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Maliqi në Berat, ku partia e tij ka marr deri më tani vetëm një mandat. Maliqi deklaron se është i bindur se votat e tij janë grabitur.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Maliqi bën me dije se nuk do t’i pranojë këto zgjedhje, pasi thekson se votat e tij janë blerë nga mafia dhe krimi.
Ai gjithashtu thekson se rezultati është i pavërtetë, duke u shprehur besimplotë se e vërteta do të zbardhet.
“Votat e mia janë grabitur, janë blerë, janë manipuluar, nga krimi dhe mafia, për mua jo vetëm ne qarkun Berat por në gjithë vendin, diçka e tmerrshme fshihet. Rezultati i deritanishëm është skandaloz dhe i pavërtetë. Mbetem më i fortë se kurrë, besoj që e vërteta do të zbardhet, dhe ndëshkimi do të jetë i rëndë. Vazhdoj me kokën lart dhe me besim në Zot, drejt sfidave reale me fitore kundër krimit, drogës dhe mafies.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje