Politike

Primaret e PD/ 24 orët e dorëheqjes së pashpjegueshme të Ilir Alimehmetit  

“Uroj të të rritet mbështetja të dielën që vjen, fitore doktor”. Ky është postimi i fundit (deri në momentin e botimit të këtij shkrimi) i një mbështetësi të Ilir Alimehmetit në Facebook që ende kujton se kandidati “i tij” është në garë me Belind Këlliçin për primarët e Tiranës.

Ilir Alimehmeti nuk e ka postuar qëndrimin e beftë të tij të orës 20.30 të mbrëmjes të së hënës se dorëhiqej nga gara.

Postimi i fundit në Facebook lidhet me thirrjen ndaj demokratëve për të votuar të dielën.   

screenshot i postimit te Ilir Alimehmetit ne Facebook

“Faleminderit të gjithë juve që më mbështetët, më votuat dhe më kualifikuat për raundin e dytë më 11 dhjetor 2022!”, shkruante Alimehmeti në orën 02.00 të mëngjesit, pak pasi ishte shpallur rezultati i numërimit të votave për Tiranën.

Ai mori 2169 vota ndërsa Belind Këlliçi 4040 vota të pamjaftueshme për të kaluar pragun e 50+1 të votave.

Ilir Alimehmeti u zgjua të hënën në mëngjes me të njëjtën ide edhe pse disa kandidatë për Tiranën që morën shumë më pak vota si Adriana Kalaja i kërkoi publikisht që të dorëhiqej nga balotazhi pasi “vetëm Këlliçi mund ta fitoje garën përballë Veliajt”.

Ilir Alimehmeti nuk ishte i bindur në dorëheqjen e tij as kur konfirmoi të hënën mbasdite një përballje intervistë me Belind Këlliçin në emisionin “Opinion” të enjten.

Gjithçka ndryshoi brenda një ore, kur ai bashkë me Belind Këlliçin dalin në një dalje të përbashkët për mediat të hënën në mbrëmje, ai me komçën e zbërthyer të këmishës, Këlliçi me kollare blu siç ia donte zakoni.

Ai nuk e artikuloi dorëheqjen por e la të kuptoje në atë deklaratë të shkurtër pa pyetje nga mediat.

“Dje anëtarësia foli në favor të kandidatit pranë meje, Belind Këlliçit, djalë i shkëlqyer, bashkëshort i devotshëm, nga ana politike ju e njihni mjaft mirë. Kështu që më shumë nuk do të shprehem. Iu kam dalë zot që sido të shkonte do isha në krah të kandidatit apo kandidates, në këtë rast kandidatit që do gëzonte votën e shumicës dhe anëtarësisë. Dhe kjo është shenja e parë e qytetarisë. Të njohësh votën, ta kuptosh atë, ta lexosh atë si duhet dhe të shprehesh prej sa”, tha shkurt Alimehmeti.

Shumë gjatë foli Belind Këllici duke njoftuar se ai do ta kishte në krah Alimehmetin nëse do të fitonte bashkinë e Tiranës.

Alimehmeti nuk ishte as një nga zërat e protestës së PD-së ditën e Samitit. Aty foli Belind Këlliçi tashmë kandidati zyrtar për Bashkinë e Tiranës.

Alimehmeti iku ashtu si edhe hyri në këtë garë. Pa kuptuar arsyet e vërteta të tij. / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë