Politike

Primaret, procesi nuk qenka aq ‘historik’. Si emrat e Metës po e rrëzojnë këtë mit   

Kur në Kurbin pak ditë më parë ndodhi incidenti brenda degës së PD-së me një kandidat të Primareve, deputeti Luan Baçi ishte i vetmi që nxori një problematikë jo të vogël që po shoqëronte procesin: Mungesa me emrat, listat, dhe organizimin në bazë.  

Ajo ndodhi edhe sot. Ose më saktë e diela e primareve e nxori në pah këtë gjë. Por jo nga një zë në radhët e PD por nga Partia e Lirisë e Ilir Metës.

Që po nxjerr në pah pikërisht atë që nuk thuhet publikisht se PD-ja në struktura çalon dhe shume madje.  Dhe jo vetëm.

Edhe ‘ngjitjen’ jo natyrale të strukturave e të PD-së me kandidatët e Partisë së Lirisë, edhe pse Meta prej muajsh ishte shprehur se nuk do të ndërhynte me emra në këtë proces.

I pari që e tha publikisht ishte kandidati i Metës për primaret e Kamzës, Shemsi Prençi.

Ai ka dhënë dorëheqjen nga gara duke kërkuar përsëritjen e tyre.   

“Të nderuar demokrat të bashkisë Kamëz-Paskuqan !

Me keqardhje ju njoftoj se po konstatojmë se në listat zgjedhore të Primareve ka më shumë anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste se anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike.

Mbi 50%  e anëtarësisë Partisë Demokratike nuk kanë emrin në listat e votimit.

Madje rezulton se nuk kanë emrin në listat e votimit as Kryetari i Forumit Rinor të PD, Z. Françesko Muça dhe N/ Kryetari e anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e Grupseksioneve e seksioneve të PD.

Gjithashtu në listat e votuesve përsëriten emrat e votuesve nga 2,3, 4 herë një person e që nuk ka lidhje fare me PD.

Një situatë të tillë e kemi konstatuar në grup duke mbikqyrur procesin së bashku me dy kandidatet e tjerë Arjan Hoxha dhe Asllan Dogjani si dhe Kryetari i PD Kamëz Arben Muja e Sekretari Gjovalin Pali.

Në këto kushte anarkie dhe për të mos u bërë pjesë e kësaj katrahure zgjedhor bëj publike:

Mos njohjen e këtij procesi zgjedhor! Gjithashtu i kërkoj Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëritjen  e Procesit të Primareve, duke respektuar Statutin e PD dhe udhëzimet e saj në lidhje me Primaret i bindur se vetëm kështu do realizojmë një proces Primareve në Parti pa lista të konsoliduara dhe të shpallura 5 ditë para votimit”, shkruan Prençi në Facebook, duke e shoqëruar edhe me letra “bakalli” se si janë regjistruar emrat që votojnë.

Sipas tij, lista e votuesve me demokratët jashtë liste ka mbërritur në PD Kamëz vetëm të dielën e 4 dhjetorit.

“Duke dëgjuar protestën e anëtarëve dhe drejtuesve te strukturave në 19 grupseksionet e Partisë Demokratike dega Kamëz jam i bindur në mos njohjen e këtij procesi denigrues për Demokratët e bashkisë Kamëz.

Kauza e demokratëve, nuk është nxjerrja e një kandidati, por forcimi dhe bashkimi për tu përballur denjësisht me regjimin Rama-Rilindja me dt. 14 Maj 2023 dhe për t’i kthyer bastionin Demokratëve e Bashkinë Kamëz qytetarëve”, shkruan Prençi

Një tjetër kandidat i PL-së Denis Hidri tha dorëheqjen 24 orë më parë nga gara për primaret e Krujës aty ku favorit shihet ish deputeti, Ndriçim Babasi

Ndërkohë, e kundërta ka ndodhur në Kuçovë. Kryetari i degës se PD në Kuçovë, Myslim Haxhiu ka dhënë dorëheqjen, në shenjë proteste për mbështetjen e hapur, në shkelje të udhëzimit, nga ana e PD në qendër, në mbështetje të Lefter Maliqit.

Edhe Brikena Koroveshi kandidatja e vetme përballë tij mësohet se dhënë dorëheqjen.

“Ne nxorëm 2 kandidat, të dy kandidat u prezantuam sipas udhëzimit, zonja e nderuar, që do jetë në krahun tim në betejën finale, u prezantua fillimisht, pastaj më tha ‘isha kandidate e vetme dhe s’mund të vij në takime për arsye familjare’, nuk e di pse është larguar kryetari i PD, procesi është i rregull, 3 anëtarët e Komisionit janë nga PD, me bindje do jemi të bashkuar në sfidën e ardhshme”, tha Lefter Maliqi.

Edhe dy kandidatë në Lezhë, Ergin Mataj dhe Pashk Gjoni kanë akuzuar për parregullsi në lista në primaret e Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë