Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste pritej me kërshëri mes zërave për ndryshime në kabinetin qeveritar. Por, në përfundim të mbledhjes, vetë dalja para mediave jo e Edi Ramës, por e Taulant Ballës paralajmëroi se ndryshimet nuk kishte…të paktën jo sot.
Në vend të Qeverisë, Taulant Balla foli për procesin e zgjedhjes së pasuesit të Ilir Metës në Presidencë, një proces që Kuvendi jozyrtarisht e ka nisur. E në këtë pjesë, Balla nënkuptoi se Sali Berishës i duhet që të marrë zyrtarisht kontrollin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për t’u përfshirë në procesin e konsultimeve për zgjedhjet e Presidentit të ri të vendit.
PS ka deklaruar se për zgjedhjen e pasuesit, apo pasueses së Ilir Metës procesin do ta zhvillojë plotësisht në Kuvend, ashtu siç tha Taulant Balla, e përcakton edhe Kushtetuta.
“Jemi sot në kohën e duhur për të inicuar më pas edhe në aspektin e kalendarit të Kuvendit një proces të rëndësishëm. Dëshira jonë është dëshira për të pasur dialog brenda asaj që parashikon Kushtetuta. Zgjedhja e Presidentit ndodh brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe në këtë këndvështrim ka qenë edhe kërkesa që të mos jetë proces kulisash. Propozimet konkrete janë të mirëseardhura”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, i cili bashkë me Gjinkurin dhe Spiropalin do të jenë negociatorët me opozitën.
Aktualisht, grupi parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvend ka në përbërje 44 deputetë dhe kryesohet nga Enkelejd Alibeaj, që gjithashtu është edhe kryetar i komanduar i kësaj partie pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.
Por, pas regjistrimit në Gjykatën e Tiranës të statutit të 11 dhjetorit, Berisha pretendon se PD drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit dhe ka nisur një tur takimesh në bazën e partisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje