Bota

Moska paralajmëron civilët të largohen nga Kievi. Bilanci i Ukrainës: Kemi vrarë 5.300 ushtarë rusë

Ukraina ka hyrë në ditën e pestë të pushtimit rus, ndërsa sirenat raportohet se bien gjithandej. Gjatë natës u raportuan disa shpërthime në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet tjera përreth, ndërkohë që këtë të hënë pritet të mbahen bisedimet e parashikuara mes Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi, pranë kufirit ukrainas.

Ndërkohë, delegacioni ukrainas ka mbërritur në Gomel të Bjellorusisë për të nisur bisedimet me Moskën rreth orës 12:00. Ministria e Jashtme e Ukrainës publikoi foton e tryezës së bisedimeve, ende bosh.

Sipas deklaratës, delegacioni përfshin, ndër të tjerë Ministrin e Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës Mykhailo Podoliak dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës Mykola Tochytskyi. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit.

Më herët, Zelensky kishte shprehur gatishmërinë që një delegacion i vendit të tij të takohet në kufirin Ukrainë-Bjellorusi me një delegacion rus dhe ka paralajmëruar se situata është shumë e rëndë: “Janë orë vendimtare. Nuk kam ndonjë pritshmëri, por ne do të takohemi dhe do të themi atë që mendojmë pa u lëkundur”.

“Ukraina kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe tërhqje të trupave ruse, ndërsa delegacioni i vendit mbërriti për bisedime me Rusinë në kufirin Ukrainë-Bjellorusi”, thuhet në deklaratën e presidencës ukrainase.

Bilanci i Ukrainës: Kemi vrarë 5300 ushtarë rusë

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pretendon se janë vrarë rreth 5300 ushtarë rusë gjatë këtyre 5 ditëve të luftimeve.

Në një deklaratë të postuar në Facebook, autoritetet ukrainase njoftojnë se janë shkatërruar 191 tanke, 29 avionë luftarakë, 29 helikopterë dhe 816 automjete të blinduara që transportonte forcat e Rusisë.

Ndërsa të dielën, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat e tyre kanë pësuar humbje, megjithëse nuk dhanë shifër të saktë.

Më herët ushtria ukrainase tha se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.

Rusia, në një deklaratë zyrtare, pretendoi se kishte kontrollin ajror të të gjithë Ukrainës dhe mohoi se ka blloqe për daljen e popullsisë civile nga kryeqyteti Kiev.

Kërcënime ruse dhe me qindra viktima

“Banorët mund të largohen nga qyteti, por autoritetet ukrainase përdorin civilët si mburoja njerëzore. Të gjithë civilët në qytet mund të largohen lirisht nga kryeqyteti ukrainas përmes autostradës Kiev-Vassylkiv”, – thuhet në një deklaratë.

Që nga fillimi i luftës, së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës. Mbi 1,600 njerëz u raportuan të plagosur.

Dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Evropën protestuan të dielën kundër pushtimit rus të Ukrainës. Në Rusi, më shumë se 5,500 njerëz u arrestuan në protesta të ndryshme kundër luftës.

Vendet evropiane dhe Kanadaja kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për avionët rusë. Kanadaja tha se kompania ajrore ruse, Aeroflot, ka shkelur ndalesën mbi qiellin e saj.

Bashkimi Evropian do të financojë armatimin e Ukrainës, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër pushtimit rus, thanë të dielën zyrtarë të lartë të BE-së. Rusia i cilëson veprimet e saj në Ukrainë si “operacion special”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë