Fillimisht Ambasada Amerikane në Tiranë dhe më pas vetë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken publikuan pak para mesnate në llogaritë e tyre në rrjetet sociale njëri pas tjetrit lajmin se kryediplomati amerikan kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Faleminderit Edi Rama për ofertën për të siguruar një vend të sigurt për afganët në nevojë. Shumë mirënjohës për bashkëpunimin e fortë mes SHBA dhe aleatit tonë në NATO”, shkruan Sekretari Blinken përmes Twitter.
Thank you to @ediramaal for Albania’s offer to provide safe haven for Afghans in need. Very grateful for the strong partnership between the United States and our NATO Ally.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) August 19, 2021
Shqipëria është ndër pak vendet që janë ofruar për strehimin e afganëve që u largohen talibanëve. Autoritetet janë ende në pritje të mbërritjes së refugjatëve të parë, fluturimi i të cilëve thuhet se është vonuar për shkak të kaosit në aeroportin e Kabulit. Ambientet ku do të strehohen afganët janë përcaktuar në konviktet e Qytetit Studenti dhe në hotelet në zonën e Durrësit.
Autoritetet shqiptare thonë se kanë përgatitur infrastrukturën për pritjen e 1200 personave. Në intervistat televizive dhënë për mediat italiane, spanjolle dhe deri për BBC, Kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë e strehimit të tyre nëpër kampe duke deklaruar se Shqipëria do të garantojë kushte dinjitoze për afganët.
Numri i saktë i afganëve që thuhet se do të strehohen përkohësisht në Shqipëri deri në përpunimin e vizave për në SHBA mbetet i paqartë, por thuhet se ai mund të shkojë deri në 3 mijë vetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje