Futboll

Probleme për Ledian Memushajn, debati me trajnerin e lë jashtë skuadrës

Situatë e vështirë për mesfushorin e Kombëtares, Ledian Memushaj. Vlonjati që luan për Peskarën në Serinë B është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen me Kievon në kampionat. Arsyeja? Memushaj ka përplasje me trajnerin Luçiano Xauri, i cili në javët e fundit e ka zëvendësuar shpesh mesfushorin dhe ky i fundit ka reaguar, duke e shprehur hapur pakënaqësinë.

Futbollisti 33-vjeçar ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të Peskarës, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ai ka lënë gjurmë edhe këtë sezon, me 2 gola dhe 7 asiste, por kjo nuk mjafton për trajnerin Xauri. Memushaj, ekzekutues i të gjitha goditjeve standarde për skuadrën e tij, ndoshta edhe për shkak të rënies fizike në pjesën e dytë, ka parë shpesh numrin e tij në tabelën e zëvendësimit dhe nuk e ka pritur aspak mirë këtë gjë. Ai, sipas shtypit italian, ka debatuar me trajnerin dhe tani duket se është kthyer në një çështje personale mes tyre.

Ledian Memushaj me fanellën e Peskarës. Gazeta Si, 29 dhjetor 2019

Për pasojë, në ndeshjen e sotme me Kievon, Memushaj nuk figuron as në stolin e rezervave. Një ndëshkim ky nga trajneri Xauri për të lënë të kuptohet se skuadra është para individit. Peskara ka 25 pikë pas 18 javësh kampionat dhe është pranë zonës së “play-off”-it. Mesfushori kuqezi ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për këtë skuadër, por duket se gradualisht po vjen momenti që të kufizohet edhe minutazhi i tij. Mosha bën të vetën. Edhe në Kombëtare aktivizimi i vlonjatit vjen duke u zvogëluar dhe tërheqja mund të jetë shumë pranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë