Futboll

Profesionisti Devid Bekham, personi para personazhit

“Ç’kuptim ka t’i japësh një tjetër dore boje një Bentli, nëse më pas shet motorin?”. Janë fjalët e Zinedin Zidan në verën e 2003-shit, kur ai komentoi zgjedhjen e drejtuesve të Real Madridit për të shitur Klod Makelelen dhe për t’i krijuar hapësirë Devid Bekhamit. Historia e shitjes së Makeleles diku tjetër u arkivua, ashtu si motivi i fillimit të rënies së “Galaktikëve”, grupit të lojtarëve që në 2001-shin ishin në çatinë e Europës.

Një gabim banal i Florentino Perezit, i cili injoroi rëndësinë e mesfushorit të tij, i joshur nga talenti i yllit të radhës në një skuadër yjesh. Lakmia që fiton mbi efiçencën. Real Madrid fitoi vetëm një Superkupë të Spanjës në tre sezonet e ardhshme. Nga ana tjetër, kush më shumë se Bekham do të gjendej në anën e gabuar të kësaj historie?

Devi Bekham. Gazeta Si, 17 prill 2021

David Bekham është i njohur në gjithë botën më shumë për “brand”-in e tij se për atë që ka bërë në fushë.

Të apasionuarit kujtojnë golin legjendar në fundin e ndeshjes me Greqinë, që e kualifikoi Anglinë për në Botërorin e 2002-shit, apo dhe grindjen e egër me Fergusonin në shkurt të 2003-it, që u mbyll me atë këpucë të gjuajtur nga trajneri në fytyrën e njërit prej futbollistëve më përfaqësues të tij. Përveç këtyre historive, se çfarë ka qenë Bekham si futbollist, është folur pak.

Për shumë njerëz, Devid Bekham është mbi të gjitha një ikonë, është “boom”-i i shitjes së fanellave të LA Galaxy pas zbarkimit të tij në MLS, është gjysma e çiftit perfekt me Viktorian, është sipërmarrësi ambicioz dhe pronari i Inter Majemit, është një statujë argjendi me madhësi natyrale për të bërë publicitetin e linjës së veshjeve imtime të H&M. Është një dorë boje mbi Bentlin e futbollit, ku nuk mjafton të jesh thjesht më i zoti se të tjerët brenda fushës.

Bekham ka diçka për t’u thënë tifozëve të Celsit. Gazeta Si, 17 prill 2021

Të shumtë janë ata që mendojnë se që në moshë të re Bekham ka qenë një lojtar klasi. Talenti i tij për të goditur topin është karakteristik. Si nga vendi, ashtu edhe në lëvizje, Bekham ishte në gjendje t’i jepte çfarëdolloj trajektoreje topit, duke përdorur në mënyrë gati indiferente të dyja këmbët.

Por Bekham ka pasur edhe një formë atletike jashtë normës, veçantia që e ka lejuar të lirohej nga kundërshtari si në qendër, ashtu edhe në krah të mesfushës gjatë karrierës së tij. Gjithsesi, edhe sot Bekhamin e lidhin më shumë me kënaqësinë se me të nevojshmen, me goditjet e tij të dënimit më shumë se me vrapimet e tij pas për të rikuperuar topin.

“Bekham ishte flamuri i një futbolli në transformim, ishte rënia e teoremës së Xhorxh Bestit, i cili ishte një yll natyral dhe pa studim. Bekham është perfekt, do të martohet me gruan e duhur për të për të rritur sensin e përshtatshmërisë plastike me mediet e reja dhe do të pushtojë skenën e modës më shumë se atë të kronikave futbollistike. Dhe është një mëkat, sepse Bekham ishte një futbollist i madh”.

– Michele Dalai

Në moshën 11-vjeçare Devidi i vogël fitoi mundësinë për t’u stërvitur një ditë në fidanishten e Barcelonës. Më pas u largua nga Totenhemi, – skuadra e tij e parë e vërtetë, – dhe dështoi te testimet me Lejton Orient dhe Noruiç. Kur ishte adoleshent, u rinis nga Brimsduan Rovers, një ekip i vogël provincial që stërvitej nga i ati. “Ndonjëherë mendoja se e ekzagjeronte me mua”, – tregon Bekham sot. “Në disa momente kisha nevojën të mbështetesha nga babai im, në vend që të dëgjoja të thoshte se çfarë kisha gabuar, por funksionoi.”

Në 1990-ën u zgjodh lojtari anglez i vitit në kategorinë U-15. Në 1991-shin filloi të stërvitej me Mançester Junajtid, skuadrën për të cilin bënte tifo nga i ati. Në 1993-shin firmosi kontratën e parë si profesionist. Në 1996-ën u bë titullar fiks në formacionin e sër Aleks Ferguson. Në 1999-ën fitoi Ligën e Kampionëve në finale kundër Bajernit të Mynihut, ku ekzekutoi dy goditjejet e këndit që sollën golat e përmbysjes nga Sheringam dhe Solskjaer në kohën shtesë.

Goditja e këndit alla-Bekham është një markë e njohur në gjithë botën. Gazeta Si, 17 prill 2021

Në këto vite, kur fillon të përhapet miti i “Class of ’92”, paraqiten problemet e para të mëdha në karrierën e Bekhamit. Fërkimet me trajnerin Hodëll gjatë Botërorit të 1998-ës përhapën zërat se Bekham nuk është shumë i interesuar për fanellën e “Tre Luanëve”. Në Europianin e 2000-shit shpërtheu gjithçka pas humbjes 3-2 kundër Portugalisë, kur Bekham – autor i dy asisteve – reagoi pas kontestimeve, duke u treguar tifozëve anglezë gishtin e mesit.

Gjithçka do të përfundojë në arkiva, siç ndodh shpesh në sport, me golin në fundin e ndeshjes ndaj Greqisë, që e kualifikoi Anglinë për në Botërorin e Koresë së Jugut dhe Japonisë. Aktualisht, Bekham është lojtari i tretë me më shumë ndeshje (115) me fanellën e kombëtares angleze.

Më konsistente janë problemet që Bekham duhet të përballojë, në mënyrë paradoksale, me “babanë” e tij futbollistik, sër Aleks Fergusonin. “Pas martesës nuk është më ai i mëparshmi”, – janë fjalët e trajnerit skocez në 2007-ën, 4 vjet nga episodi me këpucën dhe shitja e lojtarit te Real Madrid.

Ferguson thotë se që i ri Bekham ka qenë lojtari me rezistencën më të madhe fizike që ai ka stërvitur ndonjëherë. “Ai stërvitej, stërvitej, stërvitej, ishte i palodhur”, – shprehet Sër Aleks, i cili ka mendimin se jeta e dytë si pop-star e Bekhamit e ka errësuar profesionalitetin e tij të jashtëzakonshëm, i njohur pa dallim nga të gjithë shokët e tij.

Ana tjetër e Bekham. Gazeta Si, 17 prill 2021

Në 2006-ën Devid Bekham ka rrëfyer se ka vuajtur nga shqetësimi absesiv kompulsiv, një sëmundje që të bën të përsëritësh disa rituale, ndonjëherë të panevojshme. “Gjithçka duhet të jetë perfekte. Kur shkoj në një hotel, që të relaksohem, duhet të marr gjithë fletushkat dhe librat për t’i vënë në një sirtar. Kam provuar të kurohem, por nuk heq dot dorë”.

Do të thotë se perfeksionizmi i Bekhamit ka edhe një anë toksike, që ai vetë e ka fshehur prej vitesh, – por ndoshta mbiemri më adapt është “i brishtë”. I brishtë si djaloshi që Totenhemi largoi, apo futbollisti që u tregoi gishtin e mesit tifozëve të vet.

“Nuk do ta harroj kurrë 1999-ën dhe atë që do të thotë për mua. Sukseset me Mançesterin, lindja e Bruklinit dhe martesa. Do të mbetet viti im i preferuar, absolutisht, sepse ka shenjtëruar dy gjërat më të rëndësishme për mua, familjen dhe karrierën”.

– David Beckham

Pikërisht për këtë ideja që Bekham është “shumë i bukur për të qenë futbollist”, – duke cituar një batutë të Maradonës – nuk mund shkojë me historinë e tij të vërtetë, shumë larg nga thjeshtimet që shumë shpesh pranojmë në mënyrë pasive. Bekham nuk ka lindur me talentin e një të destinuari, por është nisur nga një periferi e jugut të Anglisë për të arritur në majën e botës falë një predispozicioni të jashtëzakonshëm për sakrificën, në kërkim të perfeksionit. Një ideal gati filozofik, që e kemi parë të shfaqet në maksimum, si për ironi të fatit, pikërisht nga pasardhësi i Bekhamit me 7-ën e Junajitd, Kristiano Ronaldo.

Festa e Bekham pas një goli me fanellën e Mancester Junajtid. Gazeta Si, 17 prill 2021

Në fakt, dëshmitë e ish-shokëve të skuadrës dhe trajnerëve në lidhje me profesionalitetin e Bekhamit janë domethënëse. Në Itali, Milani, sapo ai përfundoi aventurën kuqezi, e përshëndeti me një njoftim zyrtar, ku vlerësonte mbi të gjitha “profesionistin e palodhur”. Të njëjtën gjë kanë bërë Karlo Ançeloti – “në futboll do të mungojë serioziteti, përulësia dhe profesionaliteti i tij” –, Filipo Inzagi dhe shumë të tjerë.

Të bën përshtypje fakti që në momentin e tërheqjes, kur bëhen llogaritë e karrierës, shumë kanë nënvizuar jo “këmbën”, talentin apo imazhin, por profesionalitetin, ndoshta për të dhënë publikisht një mesazh ndryshe, të kundërt me atë që është ushqyer nga shtypi.

“Më ka befasuar profesionaliteti dhe eleganca e tij, edhe jashtë fushe. Të gjithë kanë mbetur të habitur nga sjellja e tij, asnjëherë jashtë normave”.

– Pipo Inzagi për Devid Bekham

Pra, historia e Bekhamit është kontroverse, e mbushur me kontradikta dhe hapa prapa, e fshehur nën vellon e një tregimi të hidhur dhe pak të thelluar, atij të seks-simbolit të zotë për të goditur një top. Kështu, Devid Bekham, ikonë në shkallë globale, shndërrohet papritur një guaskë bosh, në një maskë në mungesë të një fytyre. Por pas ikonës Bekham është njeriu Devid, një profesionist ekzemplar dhe shumë i lidhur me vlerat e tij, me familjen e tij dhe me dobësitë e tij. Kush e ka njohur vërtet, e di mirë edhe sot, – përtej thjeshtimeve mediatike – kujton personin dhe jo personazhin.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë