Futbolli modern ndryshon shumë nga ai i mëparshmi. Sporti më popullor në botë ka evoluar dhe kush më mirë se sa një maestro si Ksavi Hernandez, që ka fituar gjithçka me Spanjën dhe Barcelonën mund ta shpjegojë këtë evoluim? Ja si e zbërthen ai futbollin e sotëm, duke u bazuar te modeli i Barcelonës:

“Futbolli sot ka evoluar kaq shumë në nivelin fizik dhe taktik, sa që sot është shumë e vështirë të driblosh mbrojtësit.
Stërvitemi me një çip në gjoks, kalkulojmë distancat, kilometrat e bëra, shpejtësinë maksimale, është e pamundur të jesh më i përgatitur se kaq.
Kështu futbolli ka shfrytëzuar fizikun dhe taktikën, siç është e drejtë të ndodhë. Tani ajo që mbetet të shfrytëzohet deri në fund është teknika. Sepse, duke vazhduar mne këtë hap, fiziku do të fitojë mbi teknikën dhe loja, më besoni, do të bëhet e mërzitshme.
Në futbollin e niveleve më të larta ndiqet më shumë modeli I Simeones se i Guardiolës. Mjafton të shikosh La Ligën, ose Premier Ligën: sa skuadra provojnë të luajnë si Guardiola? Dy? Tre? Dhe sa si Simeone? 80% e skuadrave.
Futbolli te Barcelona kuptohet si hapësirë-kohë. Buskets, Mesi, Injiesta janë mjeshtra të hapësirë-kohës. Dinë gjithmonë se çfarë duhet të bëjnë, nëse janë vetëm apo të rrethuar nga kundërshtari. Por këtë e bëjnë, sepse janë seleksionuar dhe stërvitur që në moshë të vogël te Barcelona.
Koncepti bazë? Më shumë se për ndërrim pozicioni duhet të flasim për kuptueshmëri. Nuk duhet t’i mësojmë lojtarit të ndryshojë pozicion, por të kuptojë gjërat.
Është Krojfi ai që e ka sjellë këtë në futboll. Ai fliste për fisarmonikën: për ta hapur fushën, për të kuptuar se ku është hapësira e lirë. Nëse këtu është Injiesta, unë nuk mund të rri më në të njëjtin vend. Nëse ai është nën presion, i jap një rrugëdalje. Avantazhi i Barcelonës në raport me skuadrat e tjera është se mbi këtë concept punohet prej vitesh, që nga fidanishtja…
Mesi është lojtari më i mirë në planet jo vetëm për talentin e tij, siç mendojnë disa. Por sepse taktikisht kupton gjithçka, ai dominon gjithçka. Hapësirën, kohën, ku është shoku i skuadrës dhe kundërshtari.
Nuk dua të përmend emra, por në La Liga jemi impresionuar nga lojtarë që kanë bërë numra të bukur dhe lojëra të mëdha, por më aps janë zhdukur pa lënë gjurmë. Po, veprime të bukura, por për çfarë duhen? Edhe Mesi bën gjëra të rralla? Jo. Mesi nuk bën gjëra të rralla, ai e di se çfarë duhet të bëjë. Mesi është futbolli i mirë, është aq i mirë sa futbolli që pastaj bëhet i bukur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje