Politike

Programi i qeverisë së re/ Rritje pagash, ndryshim i fashës së taksimit progresiv, mbyllje e legalizimeve dhe vaksinim i gjithë popullatës

Në broshurën 41 faqesh të programit të ri qeverisës që kalon të enjten për votim në Kuvend, kryeministri Edi Rama premton se duke filluar nga korriku i vitit 2022 do të rriten gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar pagat për mësuesit, mjekët, infermierët e punonjësit e administratës publike.

Në programin e qeverisë premtohet gjithashtu se politika e bonusit të pensioneve të fundvitit do të kthehet në një politikë permanente të rritjes së pensioneve, përtej indeksimit, pa rrezikuar skemën dhe reformën e arritur.

Kjo politikë, sipas qeverise, do të garantojë një rritje të vazhdueshme vjetore prej mbi 5% për cdo pensionist.

Do të zgjerohet gjithashtu skema e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë.

Qeveria parashikon të zgjerojë mbulimin e familjeve të varfra me skemën e ndihmës ekonomike, me përparësi familjet e komunitetit rom dhe egjiptian, me 10% në vit.

Do të rritet me 10% përfshirja e grave kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike.

Nuk parashikohet diçka konkrete për punësimin.

“Rrisim pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40% deri në fund të mandat të tretë.

Rrisim pagat e punonjësve të administratës publike me 30% deri në fund të mandat të tretë.

 Rrisim pagën mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandat të tretë…” thuhet në program

Për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë në muaj, qeveria do të ofrojë 10 mijë lekë për çdo familje që të heqin shpenzimet e çerdhes ose kopshtit çdo muaj.

Qeveria paralajmëron ulje të moshës së vaksinimit nga 18 vjec në 16 vjeç dhe garanton vaksinimin për të gjithë popullsinë deri në shkurt 2022.

Qeveria parashikon 50 milionë euro ndihmë për sipërmarrjet në sektorin e turizmit, në formën e instrumentet të garancisë;  5 milionë euro për sipërmarrjet në fushën e transportit; 50 milionë euro për sipërmarrjet në sektorin e manifakturës, si garanci për kreditimin apo zgjatje të afatit të kredive ekzistuese

Në programin qeverisës thuhet se prindërve që nuk bëjnë dot fëmijë, nga viti 2022 do tu ofrohet falas paketa e fertilitetit.

Familjeve të reja do t’u ofrohet 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë.

Në bashkitë e mëdha me prurje të lartë demografike, do të ndërtohen rreth 2000 mijë banesa në vit për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja, përmes një instrumenti të posaçëm të garancisë sovrane nga qeveria. Programi nis brenda vitit 2022 me një fond 100 milionë euro të Bankës Europiane të Investimeve.

Në fund të pranverës së vitit 2022 parashikohet të jenë finalizuar si pasojë e tërmetit:

4500 banesa të reja individuale.

13 mijë familjet që po trajtohen aktualisht me bonus qiraje do të vijojnë të marrin bonusin dhe përfitimet e tjera deri në ditën që do t’u dorëzohen çelësat e shtëpisë së re në dorë.

12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre.

28 kantiere të reja të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën e vitit 2022.

Brenda pranverës 2022 përfundon gjithashtu rehabilitimi dhe ndërtimi i mbi 160 çerdheve, kopshteve, shkollave e konvikteve.

Sa i përket taksave, programi i qeverisë parashikon që çdo qytetar që siguron më pak të ardhura do të paguajë më pak

Qeveria do të rrisë dyshemenë për pagat e patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë në muaj.

Me këtë masë, qeveria parashikon që 435 mijë të punësuar paguajnë zero taksë.

Në ndihmë të shtresës së mesme, qeveria premton se do të rishikojë  fashën e sipërme të taksimit progresiv.

Tatimi 23% do të fillojë të aplikohet në pagat me mbi 200 mijë lekë dhe më tej, brenda afatit të deklaruar 250 mijë lekë, nga 150 mijë që është sot.

Nga 1 janari 2023, rimbursimi i TVSH-së për bizneset do të jetë automatik.

Shërbimet ndaj tatimpaguesve do të jene 100% digjitale. Inspektorët do të vizitojnë bizneset atëherë kur të kenë nevojë për verifikime, por jo më shumë se një herë në vit.

Qeveria parashikon rritje ekonomike mesatarisht 4.5% në vit dhe borxhin në kufijtë e 60 përqindshit brenda mandatit 4 vjeçar.

Qeveria parashikon gjithashtu që në vitin 2024 në Vlorë të jenë ngritur një aeroport më saktë të jetë operacional.

Brenda vitit qeveria parashikon të fillojë punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës.

Në janar 2022 fillon edhe puna për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit

Qeveria premton gjithashtu që brenda vitit 2022 te mos mbetet pa legalizuar asnjë banesë “që mund të legalizohet”.

Synohet gjithashtu përfundimi i procesit te regjistrimit fillestar të pasurive në të gjitha zonat kadastrale të bregdetit, por pa percaktuar afat.

Qeveria premton gjithashtu mbështetje të plotë ndaj reformës në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë