Politike

Progres-raporti, Tabaku: Shqipëria, jo gati për negociatat. Balla: Konferenca, brenda Krishtlindjeve

Në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, pas daljes së progres raportit për Shqipërinë, Jorida Tabaku tha se qeveria është përgjegjëse pse Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret për hapjen e negociatave.

“Ne nuk mund të sajojmë një luftë apo armiqësi të paqena me faktorë të jashtëm ndërkohë që në 8 vite kemi lëvizur pak ose aspak në fushat kryesore” u shpreh Tabaku, duke kundërshtuar qëndrimin e Ramës ndaj BE-së

Tabaku tha se nga qeveria ekziston mungesa e vullnetit sa kohe që sipas saj në programin e qeverisë nuk ka asnjë fjali për integrimin Europian.

“Me keqardhje them se sot nuk ka struktura të forta te ngritura, nuk ka një ekip serioz, ka negociator por që është pa portofol. Kjo sepse ka retorikë por nuk ka vullnet politik! Nuk ka vullnet politik pasi nuk ka asnjë vizion për të parë Shqipërinë në BE! Dhe këtë vullnet të munguar duhet ta rikthejmë ne këtu. Prandaj ka ardhur koha të heqim dorë nga ballot, medaljet e festat për këtë proces dhe të jemi të sinqertë, të shohim njëri tjetrin në sy dhe të pranojmë që kjo është situata reale, ashtu si e përshkruan raporti!”, vijoi ajo. 

Më tej, Tabaku shtoi:  “Vlera europiane për mua është dhe mosvjedhja e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe që më tej ngriti një sistem patronazhimi në nivel kombëtar, që në raportin e ODIHR u fshikullua si një shkrirje e shtetit me partinë. Për çdo vend me një sens minimal demokracie, nuk do të ishim duke diskutuar për përdorimin e fondeve për të blerë votën sikundër raporti i OSBE-ODIHR raporton. Aq më tepër sot ku ne jemi dëshmitarë që për shumë më pak se kaq kryeministra janë dorëhequr”

Tabaku renditi 9 pika qe sipas saj jane shqetesuese ne progres-raportin per Shqiperine qe fillojne nga korrupsioni dhe problemi i pastrimit te parave

Ndërsa kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla shprehu shpresën që brenda Krishtlindjeve të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Mjafton, sipas tij, që BE-ja të mbajë fjalën.

“…Sfidë mbetet konsolidimi i progresit të arritur, ndaj mbajtja e konferencës së parë brenda Krishtlindjeve do ishte shtysë thelbësore në këtë moment që ndihmon procesin e anëtarësimit”, tha Balla


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë