Politike

Projektligji në Kuvend/ Grupi i Alibeajt kërkon hapjen e dosjeve, ‘Foltorja’ nuk firmosi

Gazeta Si – Nisma për të hapur dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit është nënshkruar nga 17 deputetë të Partisë Demokratike.

Por ndryshe nga kolegët e tyre, grupi i ashtuquajtur i Foltores i kryeuar nga Sali Berisha, nuk ka firmosur nismën ligjore për hapjen e dosjeve.

Përveç kreut të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, kanë firmosur edhe Helidon Bushati, Orjola Pampuri, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Lefter Gështenja, Andia Ulliri, Arbi Agalliu, Saimir Koreshi, Dashnor Sula, Merita Bakiu, Tomor Alizoti, Selaudin Jakupllari, Bledion Nallbati, Zheni Gjergji dhe Flamur Hoxha.

LEXO EDHE:
– Autoriteti miratoi dosjen e Metës në 2017, por ligji e ndaloi të verifikojë
– DOKUMENTI/ Ndryshimet, Meta s’kandidon dot për deputet apo kryebashkiak pa marrë certifikatë të re se s’ka qenë spiun

Më herët, kanë qenë socialistët ata që kanë depozituar dy nisma ligjore për verifikimin e politikanëve që kanë marrë certifikata pastërtie nga komisionet Mezini-Bezhani, si dhe për largimin e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit nga Kuvendi dhe politika.

Nisma ligjore parashikon një shtesë në nenin 13 të ligjin e vitit 1999, për informacionin sekret shtetëror, duke deklasifikuar të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me përjashtim të dokumenteve që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.

“31 vite pas rënies së regjimit komunist, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e plotë të asaj që ishte diktatura më e egër dhe me çnjerëzore, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës e më gjerë. Zbardhja e plotë e së vërtetës lidhur me atë që ishte dhe përfaqësonte regjimi komunist nuk mund të kuptohet pa zbardhur atë pjesë të historisë që ishte ana më e errët e saj, pikërisht Sigurimi i Shtetit. Kjo strukturë përfaqësonte frikësimin, dhunën dhe terrorin që shteti diktatorial kërkonte të depërtonte në mendjen e çdo qytetari shqiptar, për të parandaluar çdo lloj përpjekje kundërshtie apo revolte. Në këtë rast është e qartë se e drejta, interesi dhe mundësia për të mësuar të vërtetën historike të Shqipërisë së viteve 1944- 1991, prevalon mbi nevojat që mund të ketë shteti për ta mbajtur këtë informacion të klasifikuar. Megjithatë, hartuesit e projektligjit janë treguar mjaft të kujdesshëm duke përjashtuar nga aplikimi i kësaj dispozite, ato dokumente të ish-Sigurimit te Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.

Ndërkaq, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes një dosje referuar në Kuvend, e ka hedhur poshtë këtë certifikatë sigurie të Ilir Metës, duke e implikuar në ish Sigurimin e Shtetit.

Sipas Autoritetit, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar edhe shokun e tij, Filip Talo.

Autoriteti kërkoi heqjen e pengesës ligjore për të verifikuar Metën dhe të gjithë ata që tundin certifikatat e pastërtisë së figurës.

Si Berisha, ashtu edhe Metaj kanë mohuar që të kenë qenë bashkëpunëtorë me ish Sigurimin e Shtetit. Ata i kanë dhënë sinjalet e para se këtyre ndryshimeve do t’iu përgjigjen me protesta masive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë