Politike

Projektligji për sekretin shtetëror përfshin edhe kompanitë fituese të tenderave

Prej shpërthimit të pandemisë “Covid-19” më 9 mars e deri më 25 prill 2020, Qeveria e Shqipërisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes lidhi 15 kontrata të konsideruara si “sekret”.

Klasifikimi i tyre sekret u kritikua nga opozita, por edhe nga vetë pjesëtarë të mazhorancës, mes të cilëve edhe Erion Braçe, që në atë kohë mbante ende postin e zëvendëskryeministrit.

Klasifikimi i tyre sekret ndalon publikimin e vlerës së tenderave, objektit të detajuar, kushtet, cilësia e mallit, kriteret e blerjes dhe dorëzimit, kushtet dhe afatet e pagesës apo edhe detaje të tjera proceduriale.

Duke qenë se bëhet fjalë për tendera të përfshirë janë operatorët ekonomikë, apo kompanitë që kanë fituar këto kontrata. Por, në ligjin aktual për informacionin e klasifikuar si ‘sekret shtetëror’ nuk parashikohen operatorët ekonomikë.

Ligji në fuqi është miratuar që në 1999 dhe është përditësuar për herë të fundit në vitin 2012. Mungesa e parashikimit detyruar që sekretin shtetëror ta ruajnë edhe kompanitë private ka krijuar një vakuum, që Qeveria synon ta korrigjojë me një ligj të ri.

Projektligji i ri është miratuar nga Qeveria dhe pritet që në shtator të miratohet nga Kuvendi. Ai përcakton se “Operator ekonomik” ka të njëtin kuptim, sipas përkufizimit të bërë në ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”.

Në përcaktimet e këtij ligji, operatori është i detyruar që të ruajë sekretin shtetëror, duke qenë se bëhet fjalë për procedura që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. I njëjti kuptim i jepet edhe në ligjin për informacionin e klasifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë