Lajme

Prokurori i Antimafias: Paratë e drogës pastrohen në Shqipëri

Prokurori i antimafias italiane Federico Cafiero De Raho deklaroi në Tiranë se kriminaliteti shqiptar është specializuar në trafikun e drogës, të ardhurat e të cilëve riciklohen në Shqipëri.
“Siç dihet kriminaliteti shqiptar është specializuar në trafikun e drogës. Këtë e vërtetojnë me siguri të plotë hetime të shumta në Itali dhe në vende të tjera europiane. Mjafton të mendojmë se të gjitha Drejtoritë e rretheve të antimafias italiane që janë duke zhvilluar hetime kundër organizatave kriminale që janë të përfshirë në trafikun e drogës ka dhe shqiptarë. Deri në këto momente janë krijuar skuadra të shumta të përbashkëta hetimore që bashkëpunojnë në të dyja brigjet e Adriatikut”, tha Federico Cafiero De Raho. Sipas tij, nga hetimet del se vetëm në raste të rralla fitimet nga trafiku janë fshehur apo riinvestuar në Itali. “Ka mundësi shumë të lartë që pastrimi i parave të ndodhë në vendin e origjinës së pjesëmarrësve të organizatës kriminale dhe në këtë rast në Shqipëri”, deklaron prokurori i antimafias italiane.

Ai ishte i ftuar nga Ministria e Drejtësisë në konferencën “Mjetet në luftën kundër krimit të organizuar: Masat parandaluese pasurore dhe masat brenda sistemit të burgjeve në eksperiencën italiane”.
Ndërkohë ministrja e Drejtësisë Gjonaj në fjalën e saj ka thënë se janë marrë masa për rritjen e sigurisë në burgje dhe se prokurori De Raho sjell në vendin tonë eksperiencën italiane.
Gjonaj u shpreh se reforma në drejtësi po jep frytet e para dhe së shpejti do prezantohet paketa antikrim.
“De Raho sjell në vendin tonë eksperiencën italiane dhe lufta kundër krimit mbetet prioritet absolut. Paketa antikrim do prezantohet shumë shpejt. Reforma në drejtësi po jep frytet e para dhe jemi në fazë vendimtare për të ardhmen europiane. Vendi ynë ka ndërmarrë veprime të jashtëzakonshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin ne BE. Ky do jetë një proces i gjatë, por ne kemi bërë përparime të jashtëzakonshme. Hapja e negociatave do të sjellë një mirëqenie më të madhe”, u shpreh ministrja Gjonaj.
Po sot, ministrja Gjonaj dhe prokurori i antimafias italiane, De Raho përuruan edhe sallën e re operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ku është instaluar sistemi i kamerave që do të monitorojë 24 orë në ditë burgjet në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë