Futboll

Prokuroria hedh poshtë lajmin e ANSA-s për Strakoshën pozitiv

Prokuroria ka hedhur poshtë lajmin e ANSA-s se Strakosha ka dalë pozitiv pas kontrolleve të fundit. Ende nuk ka rezultate zyrtare dhe as vlerësime zyrtare për testet e bëra dje nga Prokuroria e Avelinos në spitalin “Moscati” në lidhje me 95 tamponët e lojtarëve të Lacios të marrë nga laboratori “Futura Diagnostica”.

ANSA bëri me dije se Strakosha ka dalë pozitiv, kurse Imobile dhe Lukas Leiva negativë, por Prokuroria e Avelinos ka përgënjeshtruar lajmin, duke saktësuar se puna me tamponët ende nuk ka përfunduar. Për më tepër, çdo tampon identifikohet nga një barkod dhe është e pamundur që një rezultat të jetë i lidhur me një emër.

Tomas Strakosha. Gazeta Si, 11 nëntor 2020

Prokuroria e Avelinos ka hapur prej disa ditësh një hetim, që për momentin ka vetëm Masimiliano Takonen, presidentin e laboratorit “Futura Diagnostica”, të regjistruar në listën e të akuzuarve. Akuza është për mashtrim me të dhënat publike.

Lacio është vënë në qendër të vëmendjes ditët e fundit për shkak të kaosit me rezultatet e tamponëve. Rezultatet e tamponëve të Strakoshës, Imobiles dhe Leivës kanë qenë të ndryshme brenda një kohe të shkurtër. Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka thënë se klubi ka respektuar protokollin dhe se testet e Serisë A janë ndryshe nga ato të UEFA-s.

Megjithatë, të tre këta lojtarë u lanë jashtë ndeshjes së fundit me Juventusin në kampionat, pasi klubi vendosi të mos rrezikonte. Sipas shtypit italian, Lacio rrezikon të dënohet për faktin se nuk ka respektuar protokollin, konkretisht nuk është izoluar dhe nuk ka ndarë me autoritetet shëndetësore rajonale rastet pozitive në skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë