Lajme

Prokurorja që burgosi Sanader sjell eksperiencën kroate në SPAK

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka pritur në një takim prokuroren speciale të USKOK, Tamar Laptosh. Prokurorja e USKOK pritet të japë eksperiencën e saj në institucionet e reja të drejtësisë për 2 vitet në vijim.
Laptosh është prokurorja që hetoi dhe dërgoi në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin kroat, Ivo Sanader dhe ish-zv/kryeministrin kroat. Ajo do të japë eksperiencën e saj se si hetohet korrupsioni dhe si hetohen zyrtarët më të lartë.
Ibrahimi i ka cilësuar praktikat në vendet si Kroacia, pika referimi për funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri e më tej ka shprehur vlerësimin dhe mirëpritjen e KLP-së ndaj eksperiencës së Laptoshit.
Lidhur me ngritjen e SPAK, Ibrahimi ka theksuar se është prioritet i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga ana e saj, prokurorja Laptosh theksoi se SPAK duhet të jetë themeli i paanshmërisë e integritetit.
Gjatë një takimi me dyer të mbyllura, Laptosh tregoi se për të hetuar korrupsionin duhet së pari që të përzgjedhurit e SPAK-ut të kenë besueshmëri të lartë, të ketë koordinim mes Gjykatës kundër Korrupsionit dhe SPAK-ut si edhe të ketë vullnet.
Trupa e prokurorëve të SPAK do të ketë 15 anëtarë dhe për këtë strukturë ka një pritshmëri më të lartë në publik, pasi ka në fokus vendosjen e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë para përgjegjësisë. Afati i fundit për të aplikuar është data 7 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë