Politike

Propozimet e Harxhit për statutin: Kryetari nëse humbet duhet të largohet

Komisioni i Përhershëm Statutor u mblodh të martën për të ballafaquar propozimet që kanë ardhur për ndryshimet në statut konkretisht paketa e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, Fatbardh Kadillit dhe së fundmi edhe Edith Harxhi. Sepse po të martën në mëngjes, para fillimit të mbledhjes, Harxhi depozitoi propozimet e saj.     

“Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimmarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetëra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura?”, nënvizon ajo

Harxhi kërkon gjithashtu që të sanksionohet në Statut se vendimmarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nisëm të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike, edhe pse në fakt kjo pikë ekziston në statutin aktual, porse nuk u zbatua.

Ndryshe nga propozimet e Bashës, Harxhi kërkon gjithashtu që zgjedhja e kandidatëve për deputet, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetar bashkie duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë.

“Lista e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, megjithëse me një proçes të anatemuar pasi ishte proçes denigrues dhe përjashtues dhe jo vlerësues, nuk u morr parasysh. Madje në shumë raste edhe vota e demokratëve për vlerësimin e kandidaturave u shpërfill dhe u tjetërsua nga vendimmarrja e Kryetarit të Partisë…”, thotë Harxhi.

Sipas saj, as kryetarët e degëve dhe strukturat lokale të partisë nuk mund të neglizhohen në procesin e vendimmarrjes dhe “nuk mund të sfidohen nga besnikë të kryetarit të partisë, që emërohen në periudha parazgjedhore si koordinatorë politikë në qarqe”.

“Këshilli Kombëtar duhet të jetë forumi më i lartë vendimmarrës i partisë sonë. Ai duhet të jetë përfaqësues, i kufizuar në numër, dhe i përbërë nga 120 anëtarë në përgjithësi, nga të cilët 90 prej tyre të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar, me propozim të degëve të PDSH-së dhe jo të Kryetarit”, thotë ajo

Harxhi propozon ndër radhë që forumet drejtuese të Këshillit Kombëtar, duhet të kenë mandat katër vjeçar dhe të jenë të pavarura nga Kryesia e Partisë dhe Kryetari i Partisë pasi vetëm në këtë mënyrë sipas saj mund të sigurohet ajo që quhet kontroll dhe balancim i pushtetit dhe të sigurohet vendimmarrje e pavarur dhe kolegjiale.

“Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë organ këshillimor i Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë, por autoriteti më i lartë vendimmarrës në PDSH. Pavarësia e organeve drejtuese të Këshillit Kombëtar dhe thirrja e mbledhjeve të Këshillit duhet të jetë e drejtë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar”, nënvizon ajo

“Partia jonë duhet të kalojë në një proçes të menjëhershëm të verifikimit të anëtarësisë së saj pasi ne ndryshojmë listat e anëtarësisë në zgjedhjet për Kryetar Partie, apo zgjedhje të tjera të brendshme në parti, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, të Kushtetutës së vendit dhe Statutit të Partisë sonë, “e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike janë hequr nga listat e anëtarësisë së PDSH-së me mijëra demokratë dhe anëtarë të hershëm, më shumë se 28 mijë anëtarë të anëtarësisë së saj reale që prej vitit 1990, kur edhe është themeluar partia. Anëtarë të hershëm dhe të tashëm të Partisë Demokratike, themelues e qëndrestarë, janë hequr nga listat e anëtarësisë jo pa qëllim dhe kjo ka deformuar partinë tonë në strukturë, përmbajtje, thelb dhe formë”, thotë Harxhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë