Erion Braçe, zv/kryeministri i vendit, në një lidhje direkte me studion e “Dita jonë” në A2, foli për propozimin e Ilir Beqajt për uljen me 10% të pagës së të punësuarve në sektorin publik dhe prekjen e pensioneve suplementare.
“Nuk jam dakord me propozimin. Zoti Beqaj ka dhënë një mendim të tijin, që është në të drejtën e tij. Por, edhe unë kam të drejtën të jem kundër. Nuk ka asnjë iniciativë të qeverisë për të prekur pagat e sektorit publik dhe për të ulur pensionet suplementare”, tha Braçe.
“Unë mendoj se buxheti i shtetit ka akoma rezerva në shpenzime, duhet ta administrojë akoma më mirë dhe akoma me më shumë përgjegjësi shpenzimet operative”, shtoi zv/kryeministri.
Për propozimin e Ilir Beqajt ka reaguar deri diku indirekt edhe kryeministri Edi Rama. Indirekt, sepse Rama ka ironizuar një postim të mëhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi pikërisht për propozimin e Beqajt.
“…Edi Rama ka nisur një eksperiment të ri dhe shumë të rrezikshëm me shqiptarët. Përmes Ilir Beqajt, një nga ministrat e tij më të diskretituar si të korruptuar, Edi Rama propozon uljen e pagave në sektorin publik e privat, si mënyrë për të furnizuar qeverinë me parà. Një propozim kriminal dhe i papranueshëm për çdo qeveri, që vendos të parin interesin e qytetarit.
Ditën kur propozon uljen e pagave të qindra mijëra njerëzve, Edi Rama ka paguar për PPP mafioze të inceneratorit të Tiranës 650 mijë euro. Po të mos kishte hallin e biznesit të vet me mafian e plehrave, me kaq parà, Edi Rama mund të kishte siguruar pagën e 3125 njerëzve të mbetur pa punë…”, komentonte Bardhi
Rama, nga ana e tij ka ironizuar gjithë postimin.
“Duhen gaz duhen dhe mend. Po mend nuk ka, ka vetëm gaz. Gaz, gaz, gaz! O Zot!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje