Nga Gazeta ‘Si’ – Anëtari demokrat i komisionit të reformës zgjedhore, Dashnor Sula, i tha Gazetasi.al se aksioni opozitar duhet thelluar, pa hequr dorë nga protestat për të krijuar anormalitet në parlament. I bindur se Lulzim Basha ka hequr dorë nga roli i opozitarit, zoti Sula tha qendrimin e grupit parlamentar të PD se nuk heq dorë nga kërkesa për t’u përfaqësuar në komision me bashkëkryetar që ka besimin e grupit.
“Zotit Basha i lëmë 1-2 anëtarë në komision, por jo bashkëkryetarin, pasi zoti Alibeaj e ka humbur besimin e grupit”- tha deputeti Sula, i cili ka edhe disa propozime interesante për mënyrën sesi duhet të funksionojë opozita që të bëhet një alternativë e besueshme qeverisëse.
“Duhet të shkojmë në zgjedhje me një qeveri hije dhe një kryeministër hije, qe nuk është zoti Berisha”- tha Dashnor Sula në intervistën për Gazetasi.al.
Kryetari i PD zyrtare, Lulzim Basha ka akuzuar grupin tuaj se po veproni sipas skenarit të Edi Ramës për të mos çuar përpara reformën zgjedhore. A nuk do të ishte më mirë që grupi parlamentar të merrte pjesë në komisionin e reformës zgjedhore, duke bërë një hap pas nga kërkesa për bashkëkryetarin?
“Ne e duan reformën zgjedhire dhe këtë nuk e vë dot në dyshim zoti Basha. Është pjesë e aksionit tonë opozitar që nga 5 tetori, kur ne kërkuam përfaqësimin që na takon si grup parlamentar. Të mos harrojmë që komisioni i reformës zgjedhire nuk ka funksionuar thuajse fare, që kur u ngrit në shkurt 2022. Janë mbledhur vetëm 3 herë, megjithëse i kishin të gjitha mundësitë që të zbatonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vitat e emigrantëve. Ky është një vendim detyrues për Kuvendin, por Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj nuk e thirrën asnjëherë komisionin për këtë çështje dhe tani kur ka kaluar afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, Basha kujtohet për votën e emigrantëve dhe komisionin e reformës zgjedhore. Kush i pengoi këta për të punuar, megjithëse parlamenti ishte në funksionalitet normal? Nga ana e PD, ishte zoti Basha, i dorëhequr, por me qëllimin dashakeq për të penguar, përmes fijeve që tërhiqte me Alibeajn, çdo lëvizje të opozitës deri në rikthimin e tij, siç ndodhi. Duhet të ndodhte protesta jonë pas 5 tetorit, që ai të kujtohej për reformën zgjedhore”.
Pra, nuk bëhet asnjë hap pas, edhe pse zoti Alibeaj përfaqëson një grupim opozitar?
“Zoti Alibeaj dhe unë jemi anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore si përfaqësues të grupit parlamentar dhe jemi për të përmbushur detyra si përfaqësues të këtij grupi. Kur ky grup nuk ka më besim tek ne, menjëherë duhet të na zëvendësojnë. Në këtë rast, grupi e ka humbur besimin tek zoti Alibeaj dhe ka kërkuar zëvendësimin, gjë që s’është pranuar nga PS. Të drejtën e vetos si bashkëkryetar nuk mund ta ketë përfaqësuesi i një grupimi prej 8-9 deputetësh të zotit Basha”.
Cila është zgjidhja në këtë situatë, kur ju nuk pranoni të përfaqësoheni nga Alibeaj?
“Zgjidhjen e kam propozuar edhe në grupin parlamentar. Ne duhet t’i lëmë grupimit të zotit Basha 1-2 përfaqësues në komisionin e reformës zgjedhore. Ose zoti Basha të pranojë zgjidhjen tjetër. Le ta propozojë ai dhe kandidati i tij të votohet në grupin parlamentar të PD”.
Anormaliteti në parlament për shkak të protestave tuaja nuk duket se ka prodhuar diçka konkrrte në favorin tuaj. Përkundrazi, edhe ligji për komisionet hetimore u miratua kundër vullnetit tuaj. Duhet të vazhdoni në rrugën e protestave?
“Kjo legjislaturë ka nisur në 10 shtator 2021 dhe deri në 5 tetor 2023, për 2 vite me radhe ne kemi qenë një opozitë totalisht konstruktive, e përgjegjshme, bashkëpunuese, por nuk kemi patur asnjë produkt, pasi maxhoranca as nuk do t’ia dijë për asnjë propozim tonin. Kemi depozituar në zkuvend 31 nisma parlamentare. As nuk u diskutuan për gati 2 vjet. U mbajtën në sirtarin e Kryetares së Kuvendit. Kemi propoziar me dhjetëra amendamente. S’janë marrë kurrë në konsideratë. Kemi kërkuar ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare. Na janë rrëzuar. Çdo herë, nga PS është përdorur me arrogancë forca e kartonit. Pra, nuk prodhuam asgjë. Ne nuk mund të bënim sikur nuk ndodhte asgjë. Ngritëm zërin, kërkuam të ushtrojmë të drejtat kushtetuese të mohuara, veçanërisht për kontrollin parlamentar, përmes komisioneve hetimore. Këtë që kemi nisur, e konsideroj një luftë politike dhe beteja vazhdon. Personalisht, mendoj se në opozitë është më mirë të të luftosh fort, sesa të flesh gjumë e të mbyllësh gojën. Këtë aksion opozitar duhet ta vazhdojmë pa ndërprerje, madje, ne duhet të kalojmë në forma të tjera. Kurrë më bojkot të parlamentit dhe lëshim mandatesh siç bëri zoti Luli, duke i dhuruar Ramës ndryshimin e Kodit Zgjedhor me heqjen e koalicioneve dhe fitoren në tavolinë të zgjedhjeve 2021. Ne duhet të jemi çdo ditë në aksion opozitar, kudo”.
Pra, është më mirë të jeni aksionistë, siç ju thotë zoti Basha?
“Më mirë pranoj të jem aksionist, sesa të jem pazarxhi. Në politikë nuk kam hyrë për t’u pasuruar dhe për të vjedhur. Po të ishte kështu, i lëpihesha dhe unë Edi Ramës, merrja dhe unë tendera, koncesione, fonde AZHBRR-je. Them më mirë që ka disa burra e gra revelë që nuk pranojnë nënshtrimin dhe pisllëkun e zotit Basha, që ka shitur popullin opozitar”.
Në analizën tuaj, opozitës i duhet bashkim me shkrirje të grupit me steukturat e zotit Berisha apo preferoni të hyni me fraksion?
“Të dyja janë të vlefshme. Mendoj se është nje çështje disi e ndërlikuar dhe nuk dua të jap një opinion final. Nëse nga partia e zotit Berisha do të kishte një qasje disi më të hapur dhe më të sinqertë, do të thoja se shkrirja është më e mira. Pra, nga njëra anë grupi ynë të mos niset nga interesi personal, duke nisur nga unë, Gaz Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi dhe gjithë të tjerët të mos mendojnë për vete. Pra unë të mos mendoj që vetëm unë mund të jem deputet në listën 2025, të nos shoh deri tek gardhi im. Të njëjtën gje duhet ta kenë edhe nga krahu i zotit Berisha. Zoti Berisha i pari, Flamur Noka e të tjerët. Pra të nos bëjnë llogaritë që, po erdhi Dashi, po erdhi Gazi, na zunë vendin. Por e rëndësishme është që të kuptojmë se në zgjedhje nuk shkohet me përçarje, pa kryetar, pa struktura? Me një lider opozite në arrest shtëpie? Me protesta vetëm poshtë shtëpisë së zotit Berisha? Po! Aty mund të shkohet, por nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës të kemi protesta kudo tjetër, në qytete, në fshat, në institucione të tjera”.
Mundet që një parti të vijë në pushtet me liderin e saj të izoluar?
“Kjo do të ishte thuajse e pamundur me këtë lloj formatimi që ka opozita dhe PD në këtë monent. Por në një formatim tjetër kompromisi, na rriten më shumë shanset. Mendoj se zoti Berisha nuk është zgjidhja për kryeministër dhe për të fituar zgjedhjet vetëm, por edhe pa zotin Berisha nuk ka zgjidhje. Ai ka mbështetësit e tij, pa të cilët opozita nuk fiton dot. Në analizën time, zoti Berisha duhet të njihet si kryetar i PD, por opozita duhet të rioganizohet ndryshe, psh në një federatë, që do të udhëhiqej nga një bërthamë dhe brenda saj të gjithë copëzat e opozotës të jenë të përfaqësuar. Gjithashtu, mendoj se ka shumë rëndësi që opozita të shkojë në zgjedhje me emrin e një kryeministri dhe qeverie hije, për t’i bërë ofertë qytetarëve shqiptarëve dhe për t’u thënë se nesër nuk do të jetë kryeministër zoti zberisha si kryetar partie, por do të jetë x person që ne duhet ta caktojmë përpara zgjedhjeve. Për t’u bërë alternativë, nuk ka rrugë tjetër. Nëse do të rrimë kështu, ka kry punë kjo punë!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje