Politike

Propozimi i PS: Të ndalohet reklamimi dhe sponsorizimi mediatik i cigareve. Ashpërsohen masat

Nga Gazeta ‘Si’ – Socialistët kanë proopozuar ashpërsimin e masave për tregun e cigareve në vend.

Deputetët Etilda Gjonaj dhe Erion Braçe kanë dërguar në Kuvend një amendament ku sugjerohet ndalimi i reklamimit të cigareve apo derivatëve si shisha, nargjile apo cigare elektronike në çdo lloj medie, audiovizive, të shkruar etj. Po ashtu, propozohet ndalimi i sponsorizimit të produkteve mediatike nga kompanitë e këtyre produkteve.

Qëllimi i propozimit të dy deputetëve është reduktimi i konsumatorëve të rinj të duhanit dhe propozohet që shitja e produktit për personat nën 18 vjeç, të dënohet deri në 1 vit burg ose gjobë 300-600.000 lekë.

Reklamimi i këtyre produkteve në emisionet televizive, kryesisht të cigareve me avull, “vape” dhe atyre elektronike, nxiti shitjen masive të këtyre produkteve në vend edhe në pika të paautorizuara dhe për çdo grupmoshë, përfshirë fëmijët.

Dëshmi nga vetë të miturit dhe shitësit, tregojnë se si produktet narkotike, janë lehtësisht të aksesueshme për të gjitha grupmoshat, përfshirë ato të shkollave fillore.

Në rastet kur individët përsëritës shkelin ligjin, thotë amendamenti dhe si pasojë ka ndodhur dëmtimi i shëndetit të të miturit, atëhere dënimi i propozuar është nga 4 deri në 8 vite burg. Në rastet e ambienteve që si dyqane e lokale, ndëshkimi për shkelësin në këtë rast propozohet 8 deri në 16 vite burg.

Në relacionin e nismës, deputetët shprehen se përdorimi i duhanit nga të rinjtë mbetet një shqetësim i lartë për shëndetin publik. Vitet e fundit, ka pasur një rritje alarmante të përdorimit të duhanit dhe produkteve të duhanit tek fëmijet dhe të rinjtë.

Propozimi i socialistëve vjen në një kohë kur shumë vende të tjëra po luftojnë konsumin e duhanit në nivel kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë