Kryeministri Edi Rama propozoi ndërhyje në legjislacionin për ndërtimet, që do t’u mundësonin strukturave shtetërore që të shembin, ose sekuestrojnë një pallat në rast se ndërtuesi shkel lejen e ndërtimit.
Rama foli në seancë plenare, ku mazhoranca ka në rend të ditës ndryshimet në ligjin për disiplinimin e ndërtimeve.
“Në momentin kur ke marrë leje për pesë kate dhe bën gjashtë, e gjithë ndërtesa është e paligjshme, jo vetëm kati i gjashtë. Nuk mund të prishet vetëm kati i gjashtë. Ky ligj që po miratojmë sot, që është shumë i nevojshëm, është i kotë nëse nuk e plotësojmë me masat penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit dhe në rast se nuk e vendosim njëherë e mirë me votë dhe vulë, që çdo godinë për të cilën merret leje ndërtimi dhe kur shkelet leja e ndërtimit shembet, ose sekuestrohet për qëllime sociale. Nuk mund të gëzojë ai që e ka ndërtuar dhe padiskutim”, deklaroi Kryeministri.
Rama tha se një pjesë e madhe e ndërtesave në Tiranë dhe qytete të tjera nuk kanë asnjë lidhje në cilësi dhe formë me lejet e ndërtimit të marra.
“Ajo që ka ndodhur historikisht dhe që ka sjellë edhe situatën e papranueshme të pamundësisë të qindra-mijëra familjeve për të zotëruar pronën e tyre është tejkalimi i të gjithë korrnizës së lejes së miratuar, me kate shtesë larta e anash. Në një masë të patolerushme rastesh, ajo që nis me miratimin e lejes është një trup që pastaj shfaqet i stërzmadhuar në realitet nga shkelja e ligjit”, tha Rama.
Por përse nuk kanë funksionuar strukturat shtetërore përballë këtyre shkeljeve të ndodhura përgjatë një periudhe të gjatë kohore? Rama jep dy arsye. Të parën e lidh me sistemin që, sipas tij, është mbrojtur për vite me radhë edhe në Kuvend në kohën që Rama vetë drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Nuk ka funksionaur sepse nuk mund të funksionojë me sistemin që është mbrojtur këtu në këtë sallë për vite e vite të tëra. ka qenë një betejë e nisur prje meje qysh në vitet e paara në Bashkinë e Tiranës dhe e humbur vijimësisht, që nga përpjekja për të ndëshkuar me gjoba të rënda çdo metër shtesë mbi lejen, që në Parlament u kthye në një incentivë për të ndërtuar më shumë, sepse ngha gjoba e propozuar prej meje në atë kohë, me 100 për qind për metrat katrorë të apartamenteve dhe të 150 për qind të dyqaneve, u zbrit në këtë sallë në 4 për qind të kostos për metër katrorë të shtëpive dhe 8 për qind të kostos për metër kaatrorë të dyqaneve. Ky është incentiv për të ndërtuar pa leje”, tha Rama.
Arsyen e dytë e gjen tek sistemi i drejtësisë dhe tek “KÇK”.
“KÇK e ka gjunjëzuar shtetin dhe ka favorizuar ndërtuesin. Zhvilluesit, pasi kanë shkelur lejet e ndërtimit dhe janë vënë përpara një kontrolli dhe një vendimit të inspektorëve përkatës për shembjen, kanë vajtur në gjykatë dhe me gjykatë kanë gjunjëzuar shtetin duke marrë edhe legalizimin e paligjshëm, por edhe të urdhëruar nga gjykata të shtesës. Shembull tipik është pallati shumë pak metra larg nga Drejtoria e Policisë në Tiranë, një pallat me 4 kate shtesë, ku u bë një betejë ligjore mes policisë, inspektoriatit dhe zhvilluesit dhe në fund policia dhe inspektoriati u turpëruan në sallën e gjyqit”, u shpreh Rama.
Kryeministri propozoi gjithashtu edhe përgjegjësi penale për të gjithë zinxhirin e ndërtuesve.
“Duhet të kalojmë normat e leja në Kodin Penal, që ngarkojnë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë të gjithë zinxhirin, që t’i bëhet e qartë arkitektit që në momentin që zhvilluesi cenon veprën e tij, ai nuk mund të bashkëpunojë më me zhvilluesin, por duhet të sinjalizojë shtetin, po kështu edhe kolaudatori, zbatuesi e zhvilluesi po e po”, deklaroi ai.
Rama shprehu këmbënguljen për t’u shkuar këtyre nismave deri në fund, edhe si detyrim ndaj viktimave të 26 nëntorit.
“Është koha për të mos lejuar që këto fenomene të mbijetojnë pas kësaj tragjedie. Ne nuk duhet të harrojmë 26 nëntorit, 51 viktimat. Ne jo. Le të çohen të gjithë ndërtuesit e Shqipërisë dhe të bëhen bashkë dhe të bëjnë ç’të duan. Nuk do të kenë më asnjë fleksibilitet nga ne”, u shpreh Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje