Politike

Propozimi i Yuri Kim për sistemin danez, dhe përgjigja mohuese e Bashës

Prej dy ditësh, Astrit Patozi i Bindjes Demokratike ka folur shkoqur për një email që ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka dërguar protagonistëve të reformës zgjedhore për mundësinë e diskutimit të ndryshimit të sistemit zgjedhor nga ai aktual në sistemin danez.  

 “Sado të bëjnë sikur janë të zënë me punë të tjera më të rëndësishme, udhëheqësit tanë të mëdhenj politikë nuk e shmangin dot detyrimin për t’i kthyer një përgjigje email-it të ambasadores Kim. Sado të lehtë apo të sikletshme që ta kenë, janë të shtrënguar ta bëjnë…”, shkruan Astrit Patozi. Për këtë çështje është pyetur edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas protestës në shesh në mbrojtje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

“Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistemin zgjedhor”, thotë Basha. I pyetur konkretisht së bëhet fjalë për sistemin danez, Basha ka sërish të njëjtën përgjigje. A është e gatshme PD për lista të hapura? Basha dha një përgjigje që nuk i përngjan aspak sistemit të propozuar nga ambasadorja Yuri Kim.      

“Ne do të jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi, ju e dini idenë time për maxhoritar të pastër dhe dy dhoma, për kufizimin e mandateve të deputetëve, kryeministrit, por asgjë nuk do të ketë kuptim sa kohë që kujdestare e zgjedhjeve është hajdutja e zgjedhjeve dhe hajduti i zgjedhjeve Edi Rama”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë